SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia zhvilluan stërvitje trepalëshe të mbrojtjes raketore në ujërat ndërkombëtare në Detin Lindor (Detin e Japonisë), transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë “Yonhap”, Marina e Koresë së Jugut njoftoi se kanë zhvilluar stërvitje të përbashkët të mbrojtjes raketore me SHBA-në dhe Japoninë.
Në stërvitjen ku morën pjesë anijet shkatërruese ROKS Yulgok Yi I të Koresë së Jugut, John Finn e SHBA-së dhe JS Maya e Japonisë, u kryen procedura për identifikimin dhe gjurmimin e objektivave të raketës balistike dhe punime për ndarjen e informacionit për këtë çështje.
Stërvitja ka për qëllim zhvillimin e një sistemi të “përgjigjes së fortë” kundër kërcënimeve bërthamore dhe raketore në rritje të Koresë së Veriut dhe për forcimin e koordinimit trepalësh.
– Koreja e Veriut lëshoi raketën “Hwasong-18”
Koreja e Veriut më 12 korrik njoftoi se ka kryer testimin e “raketës balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë” të llojit “Hwasong-18”. Më tej u theksua se lartësia dhe koha e fluturimit të raketës të llojit “Hwasong-18” arriti në nivele rekord.
Testimi i raketës balistike ndërkontinentale që Koreja e Veriut lëshoi në drejtim të Detit Lindor dhe e cila qëndroi në ajër për 75 minuta u ndoq edhe nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.