Bëhet e ditur se 12 anëtarë të Kongresit në SHBA i kanë bërë thirrje presidentit amerikan Joe Biden që Ukrainës t’i jepen avionët luftarakë F-16, transmeton Anadolu.
Kongresistët kanë nënshkruar kërkesën më 16 shkurt duke iu drejtuar Bidenit në të cilën bëhet thirrje që Ukrainës t’i dërgohen avionë luftarakë F-16. Ata kërkuan që Ukrainës t‘i jepet sa më shpejt mbështetja ajrore, përfshirë avionët F-16 ose avionë luftarakë të gjeneratës së katërt të cilët janë kërkuar nga qeveria e Kievit.
Kongresistët theksuan se përballë operacioneve luftarake ruse me përmasa të mëdha që janë rritur kohët e fundit, avionët në fjalë do të luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës dhe se ky vendim duhet të merret sa më parë për shkak se nevojitet kohë për përgatitjen e pilotëve me përvojë që do të përdorin këto avionë.
Më tej thuhet se disa pilotë ukrainas janë trajnuar me ushtrinë e SHBA-së në vitin 2011 ndërsa në vitin 2018 pas pushtimit të Krimesë, anëtarët e Kongresit thanë se ka një listë me informacionet e rreth 50 pilotëve të cilët janë përcaktuar nga ukrainasit, të cilët mund të marrin trajnimin e nevojshëm për tre muaj dhe që mund të flasin anglisht.
Kongresistët thanë se besojnë që dhënia e avionëve luftarakë të gjeneratës së katërt Ukrainës përfaqëson një investim strategjik dhe se udhëheqja e SHBA-së në këtë çështje ka një rëndësi jetike.
Biden zhvilloi të hënën vizitë të papritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev me rastin e përvjetorit të parë të fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe më pas ai vizitoi kryeqytetin e Polonisë, Varshavën. Këtu një grup protestuesish i bënë thirrje presidentit Biden që Ukrainës t’i jepen avionët luftarakë F-16.