Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka hedhur poshtë pretendimet e homologut të tij rus, Vladimir Putin se qyteti juglindor ukrainas i Mariupolit ka rënë nën kontrollin rus, duke thënë se nuk ka dëshmi për një pretendim të tillë.
Ai i bëri thirrje Rusisë që të mundësojë hapjen e korridoreve humanitare, në mënyrë që civilët të mund të largohen.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pretenduar fitore në betejën më të madhe në luftën në Ukrainë, duke shpallur “çlirimin” e qytetit-port të Mariupolit, i cili për pothuajse dy muaj është i rrethuar. Këto deklarata Putin i bëri pavarësisht se qindra luftëtarë ukrainas gjenden të bllokuar brenda një fabrike të hekurit dhe çelikut.
Gjatë një takimi televiziv në Kremlin, Putin i tha ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu: “Ju me sukses përfunduat përpjekjet luftarake për të çliruar Mariupolin. Më lejoni të ju uroj për këtë gjë dhe ju lutem përcillni urimet e mia edhe te trupat”.
Ai shtoi: “Mendoj se sulmi i zonës industriale është i panevojshëm. Ju urdhëroj që të anuloni një sulm të tillë… Nuk ka nevojë të ngjiten ato katakombe dhe të zvarritemi në ndërtesat e nëndheshme të kësaj ndërtese industriale… Bllokojeni këtë zonë industriale në mënyrë që as mizat të mos mund të fluturojnë”.
Vendimi për të mos sulmuar fabrikën e hekurit dhe çelikut Azovstal – disa ditë pasi luftëtarët ukrainas injoruan ultimatumet ruse për t’u dorëzuar – i lejon Putinit që të pretendojë fitoren e parë të madhe, që prej se forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës në fillim të këtij muaji. Por, bombardimet e vazhdueshme ruse ndaj Mariupolit, e kanë shndërruar këtë qytet në gërmadhë.
“Fizikisht, ata nuk mund ta marrin Azovstalin, dhe ata e kuptojnë këtë gjë sepse do të pësonin humbje të mëdha”, tha këshilltari presidencial i Ukrainës, Oleksiy Arestovych. “Mbrojtësit tanë do të vazhdojnë qëndresën e tyre”, shtoi ai gjatë një konference për media.
I pyetur që të komentonte këtë lëvizje të Putinit, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës tha se ky vendim shfaq “tendencat skizofrene” të liderit rus.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se 120,000 civilë ende janë të bllokuar që të largohen nga Mariupoli.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri thirrje për evakuimin urgjent të qindra civilëve që janë të bllokuar në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, pasi kjo fabrikë është rrethuar nga forcat ruse.
“Situata në Azovstal është dëshpëruese. Qindra civilë, fëmijë, mbrojtës ukrainas të plagosur janë të bllokuar në strehimoret që gjenden në uzinë. Ata pothuajse nuk kanë ushqim, ujë apo ilaçe”, tha ministria përmes një postimi në Twitter.
“Azovstali po vazhdon të bombardohet nga Rusia, pavarësisht se ka një konsiderueshëm të civilëve brenda. Ukrainasit nuk iu besojnë trupave ruse sepse kanë frikë se do të dëbohen apo vriten. Një korridor urgjent humanitar është i nevojshëm për evakuimin e civilëve nga Azovstali dhe për garanci se njerëzit do të jenë të sigurt”, shtoi kjo ministri.
Marrja e kontrollit të Mariupolit i mundëson Rusisë që të krijojë një urë tokësore midis rajonit lindor ukrainas të Donbasit me Krimenë, gadishullin e aneksuar nga Moska më 2014./REL