SHBA-ja dhe OKB-ja bëjnë thirrje për uljen e tensioneve në Jemen

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bëri thirrje për uljen e tensioneve në konfliktin në Jemen, pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite kreu një sulm në një qendër ndalimi të kontrolluar nga rebelët Huthi.

Në këtë sulm ajror u vranë të paktën 70 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

“Përshkallëzimi i luftimeve vetëm sa e përkeqëson krizën e tmerrshme humanitare dhe vuajtjet e popullit jemenas”, tha Blinken përmes një deklarate.

“Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt të shtensionojnë situatën, të respektojnë obligimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të marrin pjesë në një proces gjithëpërfshirës të paqes të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara”, shtoi Blinken. 

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët tha se Huthit nuk e kishin raportuar qendrën e sulmuar te Kombet e Bashkuara dhe te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si një vend i ndaluar për ta sulmuar.

Zëdhënësi i koalicionit, gjeneral brigadieri, Turki al-Malki pretendoi se dështimi i rebelëve Huthi për këtë çështje “përfaqëson qasjen e zakonshme mashtruese” të milicive në konfliktin në Jemen.

Basheer Omar, zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Jemen, tha se ekipet po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar në qendrën e ndalimit, që gjendet në qytetin verior, Saada.

Organizata Save the Children tha se në këtë qendër kanë qenë të vendosur migrantë.

Sulmi ajror ishte pjesë e një ofensive që më herët goditi një qendër të telekomunikimeve në Hodeida, që ndërpreu shërbimet e internetit në Jemen. Sulm ajror u krye në afërsi të kryeqytetit, Sanaa.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, që mbështetet nga SHBA-ja, pranoi se ka kryer “sulme të sakta për të shkatërruar kapacitetet e milicisë” rreth portit Hodeida.

Këto sulme vijnë pasi rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, morën përgjegjësinë për një sulm në Abu Dabi, ku vdiqën disa persona. Sulmi me dron goditi kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe më 17 janar dhe paraqet përshkallëzimin më të madh në konfliktin në Jemen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi sulmin e rebelëve Huthi në Emirate dhe e cilësoi si “një gabim serioz” dhe “të papranueshëm”. Ndërkaq, duke komentuar sulmin e fundit të 21 janarit, ai tha se “çdo bombardim që ka në shënjestër civile, patjetër që po ashtu është i papranueshëm”.

“Ne na duhet që të ndalim këtë rreth vicioz ku gjërat po përshkallëzohen. Ne na duhet të kemi, atë që e kemi promovuar për një kohë të gjatë, një marrëveshje armëpushimi, ku do të rihapeshin portet dhe aeroportet dhe më pas të nisnim një dialog serioz ndërmjet palëve”, tha Guterres në një konferencë për media.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët po lufton me rebelët Huthi në Jemen që prej vitit 2015.

Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë akuzojnë Iranin se furnizon me pajisje ushtarake Huthit, përfshirë edhe pajisje për dronë dhe raketa. Teherani mohon se e ndihmon financiarisht dhe ushtarakisht këtë grup./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nga turmat e mjerimit në kërcenim të shqiptarisë – sllavët

Story i radhës

Arnold Schwarzenegger përfshihet në një aksident me makina

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish