Departamenti Amerikan i Energjisë raportoi sot se planifikon të ndajë tre miliardë dollarë për 25 projekte në sektorin e prodhimit të baterive, duke rritur ndjeshëm vlerën e një programi të ri nxitës që duhet të mbështesë prodhimin vendas dhe të krijojë 12 mijë vende pune.
Projektet do të rrisin prodhimin vendas të baterive dhe materialeve të baterive të gjeneratës së ardhshme dhe do të bazohen në rregulloret për kreditimin e taksave për automjetet elektrike që duhet të inkurajojnë investimet në teknologjitë e gjelbra.
Ministria do të ofrojë mbështetje financiare për nxjerrjen e mineraleve dhe prodhimin e komponentëve dhe baterive, si dhe për riciklimin e tyre. Tre miliardë dollarët e planifikuar do të gjenerojnë gjithsej 16 miliardë dollarë investime në projekte dhe do të mbështesin 12 mijë vende pune në industri dhe ndërtim, thuhet në njoftimin për shtyp.
“Një furnizim i sigurt me minerale është një kërkesë bazë për sigurinë klimatike. Me këtë, ne po përgatisim terrenin për një pozitë udhëheqëse në gjeneratën e re të teknologjive të baterive – duke filluar nga ato të ngurta e deri te përbërjet e tjera të reja kimike”, tha këshilltari i klimës pranë Shtëpisë së Bardhë, Ali Zaidi.
SHBA dhe BE po zhvillojnë industritë vendase të baterive për të reduktuar varësinë nga Kina dhe për të fituar terren në tregun global të teknologjisë së gjelbër, duke përfshirë makinat elektrike me bateri.
Një javë më parë, prodhuesi suedez i baterive Northvolt befasoi me vendimin për të pezulluar prodhimin e materialeve për katoda në Suedi dhe për të braktisur ndërtimin e një fabrike të dytë. Menaxhmenti vuri në dukje se si pjesë e programit të reduktimit të kostos do të zhvendosin fokusin në prodhimin masiv të qelizave të baterive.
Kompania e mbylli vitin e kaluar me një humbje neto prej 1.17 miliard dollarësh, pothuajse katër herë më shumë se në vitin 2022. Të ardhurat neto të saj u rritën 20 për qind, në 128.3 milionë dollarë.
Burimi: botasot.info