Një person nga Mississippi i SHBA-së i cili u shpall fajtor për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 16-vjeçare, është dënuar me vdekje, ekzekutimi i të cilit pritet të kryhet të mërkurën në mbrëmje, ndërsa ky do të jetë i burgosuri i dytë që ekzekutohet në Mississippi në 10 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thomas Edwin Loden Jr., 58-vjeç, do të ekzekutohet përmes injeksionit vdekjeprurës në burgun shtetëror të Mississippit në Parchman në orën 18:00. Ai ka qenë i dënuar me vdekje që nga viti 2001, kur ai pranoi fajësinë për vrasje, përdhunim dhe katër akuza për dhunë seksuale ndaj Leesa Marie Grey.
Sipas vendimit përfundimtar të 7 dhjetorit, gjykata federale refuzoi bllokimin e kryerjes së ekzekutimit të Mississippit, pas një padie në pritje nga Loden dhe katër të dënuarve me vdekje nga Mississippi lidhur me protokollin e shtetit për injektimin vdekjeprurës.
Gjatë verës, kur Grey pritej të përfundonte shkollën e mesme, ndërsa punonte si kameriere në restorantin e xhaxhait të saj në verilindje të Mississippit, më 22 qershor 2000, pasi përfundoi punën në mbrëmje, rrugës për në shtëpi i kishte plasur goma duke ngecur në një rrugë rurale.
Loden, rekrutues i marinsave amerikanë në zonë, pa Grey që kishte ngecur në rrugë rreth orës 22:45. Ai ndaloi dhe filloi të fliste me adoleshenten për gomën e shpërthyer. “Mos u shqetëso. Unë jam marins. Ne i bëjmë këto punë”, tha ai.
Loden u tha hetuesve se u zemërua pasi pretendoi se Grey i kishte thënë se ajo kurrë nuk do të dëshironte të bëhej marinse dhe se ai e urdhëroi të futej në furgonin e tij. Ai kaloi katër orë duke e sulmuar seksualisht përpara se ta mbyste, sipas intervistës së tij dhënë para hetuesve.
Sipas gjykatës, pasditen e 23 qershorit 2000 “Loden u gjet i shtrirë në skaj të rrugës me fjalët ‘Më fal’ të gërvishtura në gjoks dhe plagë të dukshme të vetë-shkaktuara në duar”.
Në nëntor, guvernatori i Alabamës, Kay Ivey, kërkoi ndërprerje të ekzekutimeve dhe urdhëroi rishikim të detajuar të sistemit të dënimit me vdekje të shtetit pas dështimit të një sërë injeksionesh vdekjeprurëse.
Sipas Qendrës së Informacionit të Dënimit me Vdekje, 27 shtete lejojnë dënimin me vdekje ndërsa në Mississippi janë 36 të dënuar me vdekje.