SHBA, ende nuk ka marrëveshje për kufirin e borxhit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy zhvilluan një takim “produktiv” në Shtëpinë e Bardhë të hënën ku diskutuan për kufirin e borxhit, por nuk u arrit asnjë marrëveshje përpara afatit të 1 qershorit të vendosur nga Thesari i SHBA-së, transmeton Anadolu.

“Sapo përfundova një takim produktiv me kryeparlamentarin McCarthy lidhur me parandalimin e falimentimit dhe për të shmangur një katastrofë për ekonominë tonë”, tha Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Ne kemi përsëritur edhe një herë se falimentimi nuk është opsion dhe e vetmja mënyrë për të ecur përpara është në mirëbesim drejt një marrëveshjeje dypartiake”, shtoi ai.

Duke potencuar se ka “sfera mosmarrëveshjeje”, Biden tha se së bashku me McCarthy-n dhe negociatorët do të vazhdojnë të diskutojnë “rrugën përpara”.

“Ndjej se kishim diskutim produktiv. Nuk kemi ende një marrëveshje, por unë ndjeva se diskutimi ishte produktiv në fusha ku ne kemi dallime në mendime”, u tha McCarthy gazetarëve pas takimit në Zyrën Ovale.

“Stafet tona do të vazhdojnë të mblidhen së bashku dhe të punojnë bazuar në disa nga gjërat për të cilat kemi biseduar”, shtoi ai. McCarthy tha se toni i takimit me Bidenin ishte “më i mirë se çdo herë tjetër që kemi pasur diskutime”.

Presidenti amerikan u tha gazetarëve përpara takimit kritik me McCarthy se ai ishte “optimist se do të bëjmë disa përparime” për të arritur një marrëveshje për të shmangur mospagesën e borxhit të vendit.

Ai tha se të dyja palët folën për “nevojën e një marrëveshjeje dypartiake”, duke shtuar: “Ne duhet të jemi në një pozicion ku mund të pranohet nga palët tona”.

Takimi erdhi 10 ditë përpara afatit të paracaktuar ndërsa negociatat vazhdojnë për rritjen e kulmit të borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh ose shumës që SHBA-ja lejohet ligjërisht të marrë hua.





Story i mëparshëm

New York, publikohet video e sulmit ndaj Shtëpisë Turke

Story i radhës

Malësi e Madhe/ Kishte mbjellë bimë kanabis në tokë dhe kubikë, arrestohet 55-vjeçari i shpallur në kërkim

Të fundit nga