Këngëtarja kanadeze Shania Twain ka folur hapur për përballjen me ndryshimet fizike, menopauzën dhe komentet negative për pamjen e saj, duke theksuar se me kalimin e viteve ka mësuar të pranojë trupin e saj dhe të vendosë shëndetin në plan të parë.
Në një intervistë për revistën “People”, Twain tregoi se menopauza ndikoi edhe në një incident gjatë një shfaqjeje në Las Vegas në vitin 2019, kur ajo u detyrua të largohej nga skena pasi u dëmtua. Sipas saj, ajo pësoi këputje të dy muskujve në kofshë, ndërsa gjendja u përkeqësua nga dehidratimi, mungesa e proteinave dhe kripës, si dhe mosadaptimi me klimën e nxehtë të Nevadës.
Këngëtarja kujtoi se ka kaluar një periudhë të vështirë, kur ndryshimet në trup e bënë të ndihej ndryshe nga ajo grua që kishte qenë më parë.
“Mirëqenia vjen gjithmonë e para”, u shpreh Twain, duke theksuar se sot nuk përpiqet të rikthehet te pamja e viteve të rinisë.
“Nuk po përpiqem të jem 30 vjeç. Nuk po përpiqem të jem 25 vjeç dhe nuk do të jem kurrë më. I inkurajoj të gjithë: Shijojeni veten ashtu siç jeni tani dhe duajeni atë”, tha ajo.
Twain tha se me kalimin e moshës është përshtatur me ndryshimet e trupit të saj, duke marrë si shembull edhe aktivitetet fizike si tenisi, të cilin tashmë e praktikon në një mënyrë më të përshtatur me mundësitë e saj.
Ajo shtoi se komentet negative për pamjen nuk kanë më të njëjtin ndikim tek ajo dhe se ka arritur ta shohë plakjen si një proces natyral.
“Trupi im nuk është diçka për të cilën duhet të turpërohem. Me kohën dhe pjekurinë vjen ai guxim”, deklaroi këngëtarja.
Burimi: botasot.info


