Shala: Kemi gjasa të mëdha për të dalë kampion

October 20, 2022
min lexim

Adenis Shala, njeriu i momentit te Shkëndija së Tetovës, inspiratori kryesor i përmbysjes dhe fitores impresive të shtunën e shkuar 4:2 në fushë të Rabotniçkit. Super gol për barazim të rezultatit në 1:1 dhe pastaj asistues e pjesëmarrës në të tre golat tjerë. Gjithsesej në kampionat çon në 3 numrin e golave të shënuar, duke u konfirmuar në mesin e lojtarëve bazë.

Pauzën kampionale e kemi shfrytëzuar për një intervistë më të zgjeruar me sulmuesin 23 vjeçar nga Prishtina, i cili mes tjerash flet për jetën në Tetovë, pritjen e publikit tetovar, përvojën te Fenerbahçe, e shumë gjëra tjera që i gjeni në tekstin në vijim.

Si e vlerëson ecurinë e ekipit?

Shala: “Mendoj se jemi duke gjetur formën ideale, por kurrë nuk duhet të kënaqemi me kaq. Duhet të vazhdojmë të japim 100% në çdo seancë stërvitore dhe ndeshje për tu përmirësuar akoma më shumë. Të gjithë punojmë maksimalisht në këtë drejtim”.

Komenti yt për fitoren e fundit ndaj Rabotniçkit ku shënuam dy herë fillimisht me një e pastaj edhe me dy lojtarë më pak?

Shala: “Kjo ndeshje është tregues se skuadra ka karakter të fortë dhe këtë veti duhet ta ruajmë e ta pëforcojmë akoma më shumë.”

Ishte goli ndaj Rabotniçkit realizimi yt më i bukur në karrierë?

Shala: “Realisht ishte gol shumë i bukur dhe mund të them se është ndër më të bukurit që kam shënuar.”

E sheh këtë Shkëndijë të denjë për titullin kampion?

Shala: “Sigurisht se po. Jemi duke ngushtuar diferencën me kreun dhe nëse vazhdojmë të përmirësohemi besoj se kemi gjasa të mëdha për të dalë kampion”.

Si ndjehet Shala në Shkëndijë dhe Tetovë?

Shala: “Sinqerisht ndjehem shumë mirë dhe për këtë përfitoj nga rasti të falemenderoj publikisht tifozerinë dhe qytetarët e Tetovës që më kanë dhënë një përkrahje të madhe”.

Çka të ka bërë më së shumti përshtypje te Shkëndija?

Shala: “Padyshim se më së shumti më ka impresionuar dashuria e madhe që tifozët kanë për klubin e tyre të zemrës, Shkëndijën”.

Çka ke ditur për Tetovën dhe Shkëndijën dhe të ka befasuar për mirë apo keq?

Shala: “Nuk kisha thënë ndonjë befasi, posaçërisht jo për keq, por jam bindur se fjalët e bukura që mi thonin tjerët ishin të drejta. Shokët në Kosovë që kanë patur fatin të luajnë me këtë fanellë gjithmonë më kanë folur mirë për Shkëndijën, se është klub shumë i organizuar në të gjitha aspektet.”

Si e kalon kohën Shala në Tetovë jashta futbollit?

Shala: “Pjesa profesionale dihet, stërvitje e regjim profesional. Kryesisht dal me shokët për kafe dhe pjesën tjetër e shfrytëzoj për të pushuar në banesë”.

Lojtari më i mirë në botë sipas Shalës?

Shala: “Sipas meje lojtari më i mirë botëror është Cristiano Ronaldo”.

Ekipi i preferuar?

Shala: “Manchester United. Arsyeja dihet, Ronaldo (haha qeshet).

Lojtari më i mirë me të cilin ke luajtur dhe më i miri kundër të cilit ke luajtur?

Shala: “Kur isha në Fenerbahçe kisha fatin të stërvitem me ekipin e parë ku kishte shumë yje dhe më së shumti përshtypje më ka bërë francezi Mathieu Valbuena. Ndërkohë lojtarët kundër të cilëve kam luajtur janë Lucas Paqueta dhe Rafael Leao në një miqësore me Milanin”.

Skuadra më e mirë me të cilën je përballur?

Shala: “Sapo e përmenda, AC Milan është skuadra më e mirë me të cilën jam përballur. Ishte një miqësore luksi në vitin 2019 në Prishtinë në kohën kur isha pjesë e Feronikelit.”

E pëmende Fenerbahçen, na thuaj si erdhi transferimi te ky gjidand dhe sa të shërbeu qëndrimi atje?

Shala: “Menaxherët Ymer dhe Enver Stanovci më mundësuan të qëndroj në prova te Fenerbahçe. Kisha disa paraqitje me ekipin e dytë të Fenerit, pastaj më thirën të bashkohem në seancat stërvitore edhe me ekipin e parë. Mirëpo kur duhej të konfirmohem në ekipin e parë, u vendos që lojtarët U21 të vendit të kenë përparësi në raport me ata që vinin prej jashta Turqisë. Gjithsesi ishte përvojë e bukur për mua, prej së cilës kam mësuar shumë”.

Fitorja apo ndeshja që të ka lënë përshtypje në karrierë?

Shala: “Trepça 89-Ballkani në tetor të vitit 2020. Isha pjesë e Trepçës 89 dhe në atë takim u gjetëm në negativë 3:1. Deri në fund arritëm ta kthejmë rezultatin në 4:3 në favorin tonë. Ishte diçka e rrallë”. 

Ëndërra për tu realizuar?

Shala: “Si çdo i ri edhe unë kisha dashur një ditë të luaj në ndonjë kampionat më të avansuar në Evropë”.

Kush fiton Kampionatin Botëror?

Shala: “Mendoj se kampionatin Botëror e fiton Argjentina”.

Porosia për tifozët e Shkëndijës?

Shala: “Tifozëve ju premtoj se gjithmonë do të jap maksimumin dhe bashkë me gjithë bashkëlojtarët do të luftojmë deri në fund për të realizuar objektivat e klubit të cilat janë të qarta.”

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Parlamenti Arab: Aktet e forcave izraelite kërcënojnë paqen në rajon

Story i radhës

14-vjeçarja vendos rekord botëror, sa çorape vesh për 30 sekonda

Të fundit nga

ShkoLartë