Kreu i Nismës Thurje, Endrit Shabani ndan mendimin se vendi ynë nuk ka pasur traditë institucionale, por individi ka dominuar mbi institucionin. Teksa ishte i ftuar këtë fundjavë në një studio televizive, ai thotë se institucionet nuk na kanë ardhur si të tonat, por se na kanë ardhur si pushtim.
“Shpesh nuk e kemi parë shoqërinë si përfaqësuese të shoqërisë, por si të huaj. Një shoqëri demokratike policinë e shikon si përfaqësuese të vlerave të vjetra. Ne priremi të identifikojmë individin se institucioni është shumë abstrakt, nuk kemi histori dhe në 30 vite këta nuk kanë dashur të ndërtojnë institucione”, deklaroi ai.
Më tej Shabani theksoi se Lulzim Basha në thelb trashëgon votuesit.
“Është një brez që e kanë kapur për fyti vendin. E njëjta gjë ndodhi dhe me Skënder Gjinushin te Akademia e Shkencave. Në 1990 studentët ishin në anën tjetër të tavolinës për të rrëzuar Skënder Gjinushi, sot fëmijët e studentëve të 1990 i përfaqëson Skënder Gjinushi. Të cilit i vihet në dispozicion parlamentin që të ndryshojë ligjin dhe të jetë aty. Nuk është rastësi që bëjnë rokadë me njëri-tjetrin. Kur i sheh gjithë këta nuk të bëjnë përshtypje se aty janë Berisha, Meta, Rama. Kjo tregon që vendi ka ngelur në stanjacion. Biznesmenët e mëdhenj që shikojmë në Shqipëri, origjinën e kanë nga këta, ose nga Berisha, ose nga Meta, ose nga Rama. Gjuha e Berishës është aq e vjetër sa nuk mund të rezonojë me mënyrën se si komunikojnë sot studentët e mi.
Studentët sot kanë tjetër gjuhë komunikimi, tjera aspirata dhe botëkuptim se sa kanë, Rama, Berisha dhe Meta. 35 vjeç e poshtë nuk votojnë për këta, ose nuk votojnë për këta, ose për forcë tjetër ose ikin jashtë, këta i voton vetëm pjesa tradicionale. Në ka pasur një gjë që e ka vënë në siklet Edi Ramën, ishte protesta e studentëve, pasi kishte diferencë komunikimi. Ata gjetën një gjuhë komunikimi shumë më efiçente dhe të shpejtë se sa gjuha e tyre e komunikimit. Ata ishin shumë pak të hapur për negociata. Këtu po rritet një brez, që shpresa më e madhe e Sali Berishës dhe Ilir Metës është që këta të ikin. Unë besoj se këta janë bashkë në këtë tensionim të situatës, por jam i bindur se janë bashkë dhe lojën e bëjnë bashkë”, nënvizoi Shabani.