Shabani-Rama: Afër 1 milion lëndë në arkiv, menaxhohen vetëm nga dy zyrtarë

November 4, 2022
min lexim

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani- Rama, ka thënë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë afër 1 milion lëndë në arkivin e kësaj gjykate, dhe se sipas saj, të gjitha këto lëndë menaxhohen nga dy zyrtarë.

Këtë deklarim, kryetarja Shabani-Rama e bëri të premten, në vazhdimin e takimit të 297-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), pasi e njëjta ka raportuar për punën e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe degët e saj për tremujorin e tretë (korrik-shtator) të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, efikasiteti i Gjykatës Themelore në Prishtinë për tremujorin e tretë të vitit 2022, ka qenë 79.65%, i degës në Podujevë 69.19%, i degës në Graçanicë 76.66%, i degës në Lipjan 87.38 dhe efikasiteti i degës në Gllogoc sipas saj, ka qenë 103.23%.

Kryetarja Shabani-Rama tha se numri i lëndëve në pritje është afër 90 mijë lëndë dhe ky numër sipas saj paraqet shqetësim.

“Nëse i marrim në total së bashku edhe me numrin e lëndëve të kundërvajtjes i kemi afër 90 mijë lëndë që janë në pritje. E vërtet ky numër është shqetësues sepse ky numër po na pengon edhe në zbatimin e planeve strategjike dhe të efikasitetit por edhe për me ju dhanë qytetarëve drejtësi në afate të arsyeshme”, tha Shabani-Rama.

Tutje, Shabani-Rama tha se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë 25 lëndë të shënjestruara dhe se prej tyre ajo tha se 9 lëndë të kësaj natyre i ka përfunduar Departamenti Special i kësaj Gjykate.

“Gjithsej në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë 25 lëndë që janë të shënjestruara, dhe prej tyre 9 i ka përfundu Departamenti Special, tjerat janë në punë por e di që janë edhe në Departamente të tjera, pesë në Krime të rënda, ndërsa në tre mujorin e treti i kemi kemi zero lëndë të pranuara”, deklaroi kryetarja Shabani-Rama.Kryetarja Shabani-Rama ka treguar edhe për konfiskimin në raste gjyqësore, ku sipas saj vetëm Departamenti Special për këta tre muaj ka konfiskuar një shtëpi, dy banesa, një lokal, 10 automjete, para të falsifikuara 40 mijë dollarë, para të kthyera buxhetit të shtetit me aktgjykim kanë qenë 200 mijë euro, ndërsa 680 mijë janë bartur gjatë shqyrtimit për shkak se ka qenë si kusht për me hy në marrëveshje për pranimin e fajësisë që paratë ti kthehen buxhetit të Kosovës dhe pastaj të vazhdohet me procedura tjera.

Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Departamenti Special sipas saj, ka trashëguar 26 raste të korrupsionit dhe dy raste i ka pranua gjatë periudhës raportuese, kanë përfunduar 2 lëndë në këtë periudhë, ndërsa në total për nëntë mujorin, ajo tha se janë përfunduar 13 lëndë të korrupsionit.

Shabani- Rama ka folur edhe për sfidat që i ka pasur me tu bërë kryetare e kësaj gjykate, ku sipas saj kanë qenë mbi 5500 lëndë të padërguara në Gjykatën e Apelit, mirëpo sipas saj ai problem tani më është tejkaluar dhe nuk ka asnjë lëndë që po pret.

“Ndoshta, për me ua rikujtu juve kanë qenë mbi 5 mijë e 500 lëndë të cilat kanë pritë që me kalu në shkallë të dytë e që për probleme të ndryshme, qoftë për mungesë kapacitetesh, resurseve njerëzore, qoftë për shkak të mos shfrytëzimit në mënyrë të duhur të resurseve njerëzore, duke ja shtu faktin se ne atë kohë ka fillu aplikimi i smilit në gjykatën e Apelit si dhe fakti që ka qenë koha e pandemisë kam gjete këtë grumbullim të lëndëve të pa proceduara  në Gjykatën e Apelit, kryesisht lëndë të natyrës civile, prej atëherë asnjë lëndë nuk është duke prit për me u procedu në Gjykatë të Apelit,” tha ajo.

Tutje, Shabani- Rama, ka folur edhe për sfida dhe probleme të tjera të cilat më konkretisht janë dhënë edhe në raportin me shkrim i cili i është dorëzuar anëtarëve të Këshillit.

Në fund, anëtarët e Këshillit miratuar raportin për tremujorin e tretë të vitit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Takimi po vazhdon me pika tjera të rendit të ditës./BetimipërDrejtësi

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Samsung Odyssey Neo G9 do të jetë monitori i parë 8K gaming

Story i radhës

Elozhe edhe rivalit që luan të City

Të fundit nga

ShkoLartë