Ish mundësi i mirënjohur, Shaban Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, ka shkruar në profilin e tij për legjendën e gazetarisë sportive, komentatorin e mirënjohur Agim Kasapollin.
Gjatë një takimi, Tërstena dhe Kasapolli, kujtuan vitet e arta të sportit dhe po ashtu folën edhe për sportin në ditët e sotme, për ecurinë e sportit në përgjithësi. Kasapolli ka qenë edhe prej basketbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova, po ashtu trajner i Universitetit të Prishtinës në Ligën e Parë ish jugosllave dhe selektori më i suksesshëm i kombëtares së Kosovës në basketboll, në vitet e pasluftës.
“Ai që nuk e njeh të kaluarën nuk do ta dijë as të ardhmen.
A ka ndonjë gjë më të mirë në jetë time si kampion olimpik, sot pas 1 viti e 6 muajsh jemi takuar sërish në Prishtinë me shumë krenari dhe kënaqësi, duke pirë kafen e mëngjesit me legjendën e gazetarisë sportive, komentatorin profesionist e të papërsëritshëm në këto hapësira tona ku flitet shqip, Agim Kasapolli.
Për më shumë se 15 vjet, në kohët më të vështira, i vetmi gazetar shqiptar, legjendari Agimi më ka ndjekur në çdo hap dhe në çdo betejë në arenën botërore.
Ne festuam çdo fitore dhe çdo medalje dhe të gjitha titujt e fituar në Lojërat Olimpike, në Kampionatin Evropian dhe në kampionat dhe në Lojërat Mesdhetare nga të gjitha arenat sportive.
Koha dhe vitet kalojnë me të vërtetë shpejt, por sukseset e arritura sportive mbeten në kujtesën tonë, vërtet kemi çfarë të flasim dhe na kujtohen momentet e rëndësishme nga e kaluara në jetën tonë sportive si sportist dhe si gazetarë sportivë.
Flasim me krenari për sportin, ndërsa vetë fjalët dalin nga thellësia e zemrës dhe nuk është pak, por një jetë e tërë kushtuar sportit tonë.
Miku im Agim Kasapolli, aset ynë kombëtar, ishe dhe mbetesh atdhetar që nuk u shite dhe as nuk të blejtën, edhe me këtë moshë që ke gjithmonë i papërkulur.
Të falënderon sportisti i Shekullit për të gjitha që keni bërë për sportistët kudo që jetojnë dhe veprojnë shqiptarët”, ka shkruar Tërstena.