Ekipi Kombëtar U-19 i Shqipërisë ka nisur nga sot grumbullimin tre ditor në kompleksin Tropikal në Durrës, në kuadër të përgatitjeve për të krijuar bazën e skuadrës për miqësoret e radhës dhe për turnetë ndërkombëtarë.
Ky është grumbullimi i parë për trajnerin e ri Bledi Shkëmbi që ka publikuar edhe listën me emrat e 20 lojtarëve të përzgjedhur. Të gjithë lojtarët e grumbulluar janë të vitlindjes 2006-2007.
Për herë të parë në këtë kombëtare është ftuar talenti i Bashkimit nga Kumanova, Shaban Memeti, nipi i Taulant Seferit, yllit të Kombëtares shqiptare.
Ndërsa, lojtarët e tjerë të thirrur aktivizohen me Skënderbeun, Teutën, Bylisin, Partizanin, Vllazninë, Tiranën dhe Dinamo City, ndërsa një lojtarë është Eltion Misini nga Ferizaji (Kosovë).
Gjatë dy ditëve të para ekipi Kombëtar U-19 do të kryejë disa seanca stërvitore në kompleksin Tropikal, ndërsa në ditën e tretë është planifikuar edhe një ndeshje miqësore me Teutën U-19.
Gjatë këtij grumbullimi trajneri Shkëmbi dhe stafi i tij, do të kenë mundësi të vëzhgojnë nga afër gjendjen e futbollistëve të grumbulluar dhe elementët më të spikatur në të ardhmen do të japin kontributin e tyre edhe në ndeshje zyrtare për Kombëtaren U-19.