Shorti shumë i komplikuar i Ligës së Kampionëve për Interin e Simone Inzaghit, që arriti “të peshkonte” Bayern Munich dhe të ndajë fatin e grupit me Robert Lewandowski. Jo se përtej Pirenejve e kanë marrë më mirë shortin e mbrëmshëm të fazës në grupe. Edhe sepse në ato anë, bavarezët kanë lënë kujtime shumë të hidhura.
Humbja 8-2 është faqja më e zezë në historinë evropiane të Barcelonës…, derisa bavarezët iu bashkuan të njëjtit grup dhe Barcelona nuk e kaloi fazën e grupeve për herë të parë, duke rënë në Ligën e Evropës. Jordy Cruijff, drejtor sportiv i klubit katalanas, foli për perspektivat e Blaugrana-ve. Fjalët e tij janë raportuar nga “AS”.
Nëse Interi po qan, Barcelona nuk do të qeshë, por Cruijff e merr situatën në mënyrë filozofike: “Liga e Kampionëve është kompeticioni më i rëndësishëm që ekziston, kështu që të marrësh pjesë në të do të thotë të provosh veten duke u përballur me më të mirët. Na presin disa ndeshje shumë intensive”. Si ajo me Bayernin, që duket qartë se merr një kuptim edhe më të veçantë nisur nga kalimi i Lewandowskit, i cili do të përballet me ish-skuadrën e tij.
Cruijff shtoi: “Sigurisht që do të jetë përballje e veçantë, veçanërisht për Lewandowskin, por edhe për ne. Vitet e fundit kemi përjetuar momente të vështira kur kemi kryqëzuar rrugët me Bayernin, por jemi gati t’i sfidojmë me vetëdijen se jemi një ekip krejt ndryshe nga ato të sezoneve të fundit”.
Ndjesia është se Barcelona do ta luajë kualifikimin në grup me Interin, sepse vendi i parë ka për “pronar” bavarezët: “Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë të luash kundër zikaltërve. Ata e rikthyen Lukakun në Milano, ndaj janë forcuar në krahasim me vitin e kaluar”.
Mund të jetë tregu që i përzien më tej kartat: “Mendoj se kemi mundësinë të përforcojmë mjaft mirë reparte të ndryshme. Nuk e di nëse do të marrim gjithçka që duam nga kjo merkato, edhe ngaqë nëse një lojtar arrin, një tjetër duhet të largohet nga klubi gjithsesi. Jemi ende në bisedime me klube të ndryshme, presim zhvillime si në hyrje ashtu edhe në ato që dalin”.