Komisioni për Arsim sot ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2023. Njohja e diplomave apo nostrifikimi dhe zbatueshmëria e udhëzimit administrativ ishin dy temat kryesore për të cilat u diskutuan në këtë komision.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Hasnije Ilazi tha se prioritet kryesore gjatë vitit të kaluar kanë qenë krijimi i dokumentacionit që derivon nga ligji dhe organizmi i konferencës ndërkombëtare sa i përket cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë dhe rajon.
Si çështje të rëndësishme, Ilazi përmendi se pavarësisht nëse përfundimi do të jetë pozitiv apo negativ për vendimin nëse do të kthehen në ENQA, tregoi se këta të fundit kanë potencuar se është arritur progres i jashtëzakonshëm prej momentit të përjashtimit.
Ilazi: Është arritur progresi i madh prej kur ka qenë e përjashtuar agjencia prej ENQA-s
“Dy gjëra që kanë qenë shumë me rëndësi për neve, pa marrë parasysh a do të jetë përfundimi pozitiv apo negativ në kuptimin e vendimit për kthim. Ka qenë e para e punës, që e kanë potencuar që është arritur progresi jashtëzakonisht i madh prej momentit kur ka qenë e përjashtuar, agjencia prej ENQA-s…07:03 Ne i kemi mbajtur 11 takime të rregullta dhe dy votimet online. Përveç kësaj, i kemi përcjellë edhe kërkesat dhe ankesat në komisionin e ankesave…Ajo çka ka qenë po ashtu shumë me rëndësi për neve dhe prioritet për 2023, ka qenë krijimi i dokumentacionit që derivon nga ligji. Diçka kemi mbërri, besoj ajo çfarë ka qenë në përgjegjësi të agjencisë është bërë…Në 2023-ën kemi pasur vizitën e progresit nga ENQA, po ashtu, që ka qenë një indikacion për ekipin që ka ardhur tash. E kemi pasur një prej të arriturave kryesore organizmin e konferencës së parë ndërkombëtare sa i përket cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë dhe në rajon”, tha Ilazi.
Anëtarja e komisionit për arsim nga Lëvizja Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi parashtroi disa pyetje për kryetaren e KShC-së, sa i përket çështjes së njohjes së diplomave dhe mungesës së kompetencës formale për orientimin e programeve të studimit.
Përveç kësaj, Rexhepi pyeti rreth hartimit të rregullores për validim.
Rexhepi: Nostrifikimi nuk është në harmoni me mekanizmat për sigurimin e cilësisë
“Te njohja e diplomave, nostrifikimi sipas legjislacionit në fuqi nuk është në harmoni me mekanizmat për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë si rrjedhojë formale dhe anës procedurale. Në këtë aspekt, sa keni mundur të shihni si sfidë këtë çështje që të kemi mundësi ne ta rregullojmë, përvoja e juaj në këtë rast?…Mungesa e kompetencës formale për orientimin e programeve të studimit, sa është e interesuar Ministria e Arsimit në këtë aspekt? A ka kërkuar nga ju të ketë një raport se cilat nga programet ku këtu keni përmend ‘KSHC’ nuk ka mekanizëm ligjor për orientimin e programeve studimore dhe i profileve që janë në përputhje me nevojat e shoqërisë së tregut. Sa e keni një bashkëpunim të mirëfilltë me ministrinë që mos të kemi një situatë të tillë. Tek validimi i akreditimit të marrë jashtë…Nëse flasim për një hartim të rregullores për validim nga cili ligj aktual do të buronte një rregullore e tillë”, pyeti Rexhepi.
Lidhur me këto pyetje, Ilazi tha se gjithmonë është sfiduese detektimi se cilës fushë i përket dikush prej bartësve potencial të programeve.
Ajo tha se sa i përket programeve të cilat duhet të reflektojnë nevojat e shoqërisë dhe tregut nuk është mundësia që të ndërhyjnë në lirinë akademike që e kanë institucionet e arsimit të lartë.
Ndërkaq, lidhur me validimin, Ialzi potencoi se është një prej pikave më të rëndësishme për ta, për çka tha se kanë përpiluar draftin e parë të rregullores, të cilin do ta trajtojnë në shtator të këtij viti.
Ilazi: Validimi është një prej pikave shumë të rëndësishme për neve
“Për neve gjithmonë ka qenë një farë sfide për të deketuar se cilës fushë i përket dikush prej bartësve potencial të programeve…Me gjasë është diçka që duhet të rregullohet nga ana e Ministrisë së Arsimit ose edhe nga e qeverisë ku do të përcaktohet saktësisht çka nënkupton ose cila është ajo procedura e nostrifikimit. Përpara kanë qenë komisionet profesionale kur është nostrifikuar një dokument, i një profesori apo asistentit…Tani është vetëm një përgjigje formale kur NARIK-u kërkon prej institucioneve të jashtme ku studiuar personeli, vetëm konfirmimin që e ka përfunduar dhe e ka diplomën…Sa i përket programeve të cilat duhet të reflektojnë nevojat e shoqërisë dhe tregut, ne kemi potencuar se ne nuk kemi mundësi, jemi agjencion i cili konstaton ose ndihmon rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, por nuk mund të përzihet në lirinë akademike që e kanë institucionet e arsimit të lartë…Validimi është një prej pikave shumë të rëndësishme për neve. Ne tanimë e kemi draftin e parë të rregullores të cilën e kanë punuar ekspertët edhe të jashtëm edhe vendor. Ne kemi caktuar një ëork shop në shtator, ku do ta trajtojmë këtë rregullore dhe do të marrim vendimin për këtë”, potencoi Ilazi.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit për Arsim, nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha përveç çështjes së njohjes së diplomave, ngriti si çështje ankesat për zbatueshmërinë e udhëzimit administrativ, që ka të bëjë me akreditimin e programeve bachelor profesionale.
Hoxha: Kemi pasur shpesh ankesa për zbatueshmërinë udhëzimit administrativ
“Kemi pasur shpesh ankesa për zbatueshmërinë udhëzimit administrativ 15/2018, specifikisht për akreditimin e programeve bachelor profesionale, jo në raport me këto shkencore dhe në këtë pikë mendoj që është mirë të diskutohet për nenin 26 pika 5.3.7 e cila faktikisht i përjashton kriteret që janë të parashtruara më herët në raport me programet bachelor profesionale. Më intereson të di pse dhe a ka ndonjë arsye dhe çfarë ka ndodhur në procese. E dyta tek pjesë e diplomave që u përmend më herët, është problem i theksuar ndër vite. Njohja apo nostrifikimi, ky është veç një mendim personal nga një botë fluide, ku njerëzit pikërisht për t’iu adaptuar tregut, bëjnë 2-3 mastera të ndryshëm pavarësisht se kanë studimet bazë në diçka të caktuar, për t’iu përshtatur tregut. A mos është kjo mënyrë, se çfarë kritere dhe kërkesa kemi ne për programe të caktuara”, tha Hoxha.
Lidhur me këto, kryetarja e KShC-së, Hasnije Ilazi tha se me të përfunduar udhëzimi administrativ paraprak, ende janë brenda një “vakumi ligjor”, pasi sipas saj udhëzuesi tjetër që mund ta rregulloj këtë çështje ende nuk është në fuqi.
Përveç kësaj, ajo tha se po punojnë sa i përket udhëzimit administrativ dhe se të mërkurën do ta dërgojnë një draft në Ministrinë e Arsimit për nënshkrim.