Viti 2024 ishte mjaft sfidues për shtetin, përkatësisht për institucionet e sigurisë. Përgjatë vitit që lamë pas, vendi ynë u përballë në vazhdimësi me sulme të ndryshme nga grupe kriminale që origjinën e kanë në Serbi.
Përgjatë 12 muajve të vitit Kosova e vazhdoi betejën për kontrollin e veriut.
Por, synimi i institucioneve qendrore për ta vendosur rendin e ligjin e republikës në këtë pjesë, përditë e dëshmoi se është një realitet i mbushur me sfida të forta dhe të shumëfishta të sigurisë, shto këtu raportet e lënduara me aleatët, të cilët reaguan ashpër për shumicën e veprimeve që u ndërmorën atje, raporton RTKlive.
I 11-ti muaj, mbrëmja e datës 29, do ta bënte Zubin Potokun, epiqendër të një sulmi të madh, një shpërthimi të rreth 20 kg eksploziv, që qoj në dëmtim të madh të kanalit të ujit të Ibër –Lepencit, nga ku furnizohen me ujë të Liqenit i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termo-elektranave.
Njësitet e Policisë së Kosovës filluan hetimet rreth asaj që kishte ndodhur.
Po mendohej edhe për sanimin e dëmit, por rritja e nivelit të sigurisë për infrastrukturën kritike ishte thelbësore, në ato momente.
Kudo, u vendosën postblloqe të Policisë, nisur nga pak metra larg rrugës që të qon te kanali ku ndodhi sulmi i fuqishëm.
Secili po kontrollohej, e po identifikohej nga Policia.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që doli në vendngjarje, e cilësoi akt terrorist dëmtimin e kanalit të ujit the se institucionet janë mobilizuar që dëmet të sanohen dhe qytetarët të mos vuajnë pasojat.
Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial”.
Reagimet pas sulmit ishin të ashpra.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke dënuar sulmin në Zubin Potok, tha se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.
Derisa kryeministri do të njoftonte për një konferencë në mesnate, u lëshuan reagime nga të gjithë diplomatët e akredituar në Kosovë, nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës”, deklaroi ambasadori Jeff Hovenier.
Deri në mesnatë reaguan edhe ambasadori gjerman, britanik, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, shefi i eulexit e dhjetëra zyrtarë të tjerë vendor e ndërkombëtarë, që kërkuan hetim të plotë të sulmit.
Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, në konferencën e jashtëzakonshme deklaroi se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.
Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara tha Kurti, duke shtuar se kushtetutshmëria, sundimi ligjit nuk mund të mposhten asnjëherë nga askush.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99. Prishtina zyrtare drejtoi gishtin kah Beografi, e këta të fundit e mohuan përfshirjen. U mblodh edhe Këshilli i Sigurisë i Kosovës, që ndërmori masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe aprovoj masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale. U aktivizua edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në terren, por jo në pjesën veriore.
Mëngjesi i 30 Nëntorit, do të gjente ekipe të shumëta duke u kujdesur për sanimin e dëmit, ku u vendosën disa gypa dhe një argjinaturë prej dheu e dhjetëra ekipe policore po kryenin bastisje gjithandej në veri të vendit.
Bastisjet rezultuan me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake.
U arrestuan 8 persona si të dyshuar për sulmin.
Deri të zgjidhja afatgjate, u bë një “bypass”, për të liruar kanalin e Iber Lepencit nga qarkullimi i ujit. Mbi 400 mijë euro do të kushtojë riparimi i dëmit dhe puna pritet të finalizohet 30 qershor të vitit të ardhshëm bënë të ditur autoritetet.
Sulmit mbi infrastrukturën kritike, i paraprinë dy incidente me mjete shpërthyese. Me dy granata dore ishte sulmuar stacioni policor në Zvecan e një mjet shpërthyes u hodh edhe në ndërtesën e Komunës.
Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
Më herët në verë, u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të Policisë së Kosovës.
Policia tha se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në ARBK.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Valë reagimesh erdhën në Prishtinë. Shtetet e Bashkuara thanë se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.
Edhe Bashkimi Evropian u shpreh i zhgënjyer nga ky aksion.
Posta e Serbisë në Kosovë që nga përfundimi i luftës kryente pagesa të ndryshme për serbët, prej fondeve që ndante Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet dhe jo vetëm, nga këto pika postare kryheshin edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që merrnin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë më shumë se dy dekada sipas sistemit të Serbisë”.
Po në Gusht në mes të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e qeverisë së Kosovës, të cilat po quheshin të një anshme, u mbyllen edhe pesë institucione paralele serbe.
Pakënaqësi po shprehte edhe partia më e madhe serbe në vend, Lista Serbe e cila u priu peticionit për të quar drejt votimit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptar në veri të vendit.
Më 21 prill dështoi procesi i votimit për shkarkim e kryetarëve.
Serbët lokalë, në katër komunat në very të vendit, ndonëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve e bojkotuan atë, pas thirrjeve të Listës Serbe.
Ndër vendimet më të diskutuara padyshim se mbetet vendimi për ndalimin e dinarit serb. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Ky vendim, nuk zemëroi vetëm Serbinë, por nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Dinarët hynin nga Serbia në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila kishte një kasafortë në Leposaviq. Shteti serb kishte ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin vitin që tashmë po lëmë pas. Janë rreth 11 milionë më shumë sesa në vitin 2023, por besohet se Beogradi dërgon dhjetëra miliona të tjerë për të financuar grupe kriminale që qojnë përpara agjenda për destabilimin e vendit dhe jo vetëm.
Historiku i ngjarjeve që karakterizuan veriun e vendit përgjatë këtij viti përmbyllet me diskutimi që nisi në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës mbi lumen Ibër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe se veprimi nuk është kundër askujt.
Nisi testimi i fuqisë mbajtëse të urës, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
E ky insistim u përball me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut, madje thanë se nuk do të hezitojnë të merren me çdo zhvillim që mund ta prekë stabilitetin.
Tërë këto zhvillime në veriun e tensionuar, quan në përplasje të fortë të qeverisë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. SHBA-së dhe BE-së, që në shume raste e kritikuan qeverinë se po vepron në veri pa koordinim me aleatët.
Muaj pas debatit për këtë çështje, ura në Mitrovicë vazhdon të jetë e mbyllur për automjete, por e hapur për këmbësoret, që në numër jo të vogël çdo ditë kalojnë nga jugu në veri dhe anasjelltas. Për sigurinë e tyre përkujdesen policët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, të cilët përveç patrullimeve në këmbë vazhdojnë të kenë prani të lartë fizike mbi urën që nga paslufta portretizohet si simbol që e mbanë të ndarë Mitrovicën.
Burimi: botasot.info