“Kjo nuk është lufta jonë”. Kështu shprehen ushtarët rusë të zënë rob nga ukrainasit në fushëbetejë.
Ata janë shfaqur të demoralizuar dhe të trishtuar për atë që ndodh dhe sipas mediave, shumica prej tyre, po dorëzohen pa bërë shumë rezistencë.
Teksa forcave ruse u mbarojnë ushqimet dhe karburantet, ata i drejtohen plaçkitjeve, ndërsa të tjerë, thuhet se sabotojnë pajisjet e tyre ushtarake dhe urdhrat e komandanteve në përpjekje për të ndalur luftimet.
Tentativa e rusëve për të marrë Kievin duket se ka pësuar një stop, ndërsa Ukraina raporton se deri më tani janë vrarë 6 mijë ushtarë nga radhët e kundërshtarëve.
Mediat, kanë publikuar pamje të ushtarëve të kapur rob. Ata shfaqen të përlotur dhe thonë se nuk e kishin idenë se çfarë i priste në Ukrainë.
Mesazhet e përgjuara të radios tregojnë se trupat nuk u binden urdhrave nga Moska për të bombarduar qytetet ukrainase dhe ankohen për mbarimin e ushqimit dhe karburantit.
Regjistrimet, të siguruara nga kompania britanike e inteligjencës ShadowBreak, përfshijnë një ushtar që dëgjohet sikur po qan.
“Kemi tre ditë këtu! Kur dreqin do të jetë gati?”, dëgjohet duke thënë një ushtarë, që kërkon ushqim dhe karburant.
Një regjistrim i tretë paraqet një shkëmbim të tensionuar në të cilin i njëjti ushtar refuzon të përdorë artilerinë në një zonë derisa civilët të largohen.
Disa nga mesazhet ishin “provë e krimeve të luftës” pasi ato zbulojnë se Kremlini urdhëroi trupat ruse të gjuanin raketa në zonat urbane, pohoi themeluesi i ShadowBreak, Samuel Cardillo.
Video të veçanta besohet se tregojnë trupat ruse të zemëruara që tërhiqen, ndërsa një ushtar thuhet se i ka dërguar mesazh nënës së tij: “E vetmja gjë që dua tani është të vras veten”.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane u tha gazetarëve të martën se forcat ruse janë përballur me probleme të mëdha pasi shpresat e Putinit për një pushtim të shpejtë të Kievit u shkatërruan.
Disa njësi thuhet se po i mbarojnë ushqimet dhe karburantet, ndërsa një numër trupash ishin shumë të papërvojë dhe as që e dinin se po dërgoheshin në luftime.
Një numër videosh dhe fotografish të paverifikuara në mediat sociale tregojnë automjete të shtrenjta
ushtarake ruse të braktisura nga trupat, shpesh të mbushura me karburant dhe të ngarkuar. Sakaq, palët janë ulur sërish në tryezën e bisedimeve, në raundin e dytë të takimeve, ku do të synohet të gjendjet një zgjidhje për situatën e krijuar.