“Kuvendi gjithëserb” u mblodh të shtunën (8 qershor) në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin. Për diplomatin dhe historianin Sylë Ukshini ky është një projekt shumë i rrezikshëm që synon krijimin e Serbisë së Madhe dhe ndjek pikë për pikë platformën e Rusisë për botën ruse.
Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, diplomati Ukshini, i cili ka qenë edhe ambasador i Kosovës në Shqipëri, tha se Serbia nuk ka hequr dorë nga politikat dhe qëllimet e Millosheviçit, por se sot Vuçiç po përdor metoda të reja për përhapjen e kësaj ideologjie.
Pjesë e ideologjisë së Serbisë së Madhe, Ukshini tha se është edhe Kisha serbe, e cila nuk luan rolin e një institucioni fetar, por atë të një institucioni që bekon ofensivave ushtarake serbe.
“Ishte një lloj viktimizimi, një parapërgatitje që agresori të shfuqizohet nëse sulmon viktimën. Serbia po ndjek mirë politikën ruse dhe po shfrytëzon vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Serbia nuk ka hequr dorë nga elementët e politikës nacionaliste të Millosheviçit, qëllimet janë të njëjta por metodat janë të reja. Kisha serbe ka pasur një rol politik edhe në kohën e Perandorisë Osmane dhe vijon ta ketë edhe sot, pasi nuk ka qëllime fetare por një institucion që ka bekuar të gjitha politikat e spastrimit etnik që ka bërë Millosheviçi në Bosnjë, Kroaci e Kosovë. Serbia po shpreson se nëse Rusia korr fitore të mos përjashtojë mundësinë e një agresioni. Unë mendoj që bota serbe është një platformë politike që është kopjuar pikë për pikë nga koncepti i botës ruse dhe aty ku nuk ka mundësi ku të realizohet Serbia e Madhe përmes ofensivave ushtarake të përdoret kisha dhe të shtrihet ndikimi i kësaj ideologjie”, tha diplomati.
Se çfarë do të sjellë ky Kuvend gjithëserb në Kosovë, për diplomatin do të thotë që të Serbia të justifikojë të gjitha masakrat që ka kryer dhe të mos ballafaqohet me të kaluarën.
“Në Kosovë qëllimi është të kontestohet çdo masakër që ka ndodhur dhe të thotë në gjykatën speciale që të gjithë kem kryer krime dhe jemi fajtor dhe ta mbyllim këtë kapitull. Serbia nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën. Serbia nuk dëshiron marrëveshje dhe paqe me Kosovën dhe krejt dialogu në Bruksel është një farsë pasi Serbia po dëshiron të fitojë kohë”, u shpreh Ukshini
Sipas diplomatit Serbia kërkon një Kosovë pa shqiptarë, ndërsa shtoi se Tirana nuk mund të bëjë dot asgjë për të rregulluar raportet me Beogradin, pasi ai ndjek ende doktrinat e Millosheviçit.
“Serbia kërkon një Kosovë pas shqiptarë, ku në njërën anë të shkojë në Bruksel të bisedojë dhe nga ana tjetër të destabilizojë rajonin. Kur po shikoja këtë kuvend gjithëserb po mendoja a është e gatshme Tirana të lobojë për Luginën e Preshevës? Ne nuk e bëjmë këtë pasi edhe opozita do akuzonin Ramën se po bën lojën e panshqiptarizmit dhe bashkësia ndërkombëtare do të ishte më agresive. Tirana nuk mund të stabilizojë raportet me Beogradin, jo se nuk do, por politika serbe nuk ka ikur nga doktrina e Serbisë së Madhe. Vuçiç u afrua me Tiranën gjoja po bën njeriun e butë dhe tani është kthyer me politikën e Rusisë”, tha ai.
Në fund diplomati tha se Perëndimi duhet të ketë kujdes me verimet e Serbisë, pasi “ajo vijon të jetë një rrezik për rajonin dhe problemet në Ballkan ku kanë qenë gjithmonë të lidhura me Beogradin”.