Qytetarët serbë kanë festuar me plumba kallashnikovi fitoren e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës.
Burime të besueshme të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës njoftuan se për përdorimin e armëve mbrëmë në veri të vendit, lidhur me fitoren e Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi kane nisur procedimet.
Sipas këtyre burimeve, deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar.
Pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Serbi që nxorën fitues Aleksandër Vuçiqin, serbët në veri të vendit janë mbledhur për të “festuar”.
U raportua se mbrëmë në veri është shtënë me kallashnikov.
Pamje nga grumbullimi i serbëve në veri ka publikuar mbrëmë Kossev.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili triumfoi në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, si kandidat për shef të shtetit dhe në zgjedhjet parlamentare, në reagimin e parë mbrëmë, nuk ka sinjalizuar ndryshime në politikën e jashtme të shtetit të tij.
Ai ka theksuar se Serbia do ta ndjekë rrugën europiane dhe raportet e mira me aleatët tradicionalë, pa përmendur Rusinë e Kinën./gazetaexpress