serbet e bosnjes votojne per ta zgjedhur presidentin e ri 6922d759e001c

Serbët e Bosnjës votojnë për ta zgjedhur presidentin e ri

November 23, 2025
min lexim

Serbët e Bosnjës po votojnë të dielën për ta zgjedhur një president të ri, pasi presidenti i deritanishëm i entitetit të tyre, Millorad Dodik, u shkarkua për shkak se e shpërfilli të dërguarin e posaçëm ndërkombëtar për paqen në Bosnje.

Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.

Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) – një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.

Zgjedhjet shihen si provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila ka qenë në pushtet për gati dy dekada.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Rreth 1.2 milionë votues me të drejtë vote mund të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, por dy prej tyre konsiderohen favoritë kryesorë.

Sinisa Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kreu i partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

Grupi kryesor i opozitës, Partia Demokratike Serbe (SDS), ka zgjedhur Branko Blanusën, një profesor relativisht të panjohur të inxhinierisë elektrike, 56 vjeç, i cili e ka akuzuar vazhdimisht Dodikun dhe partinë e tij për korrupsion.

Zgjedhjet po mbahen pas vitesh përplasjeje midis përfaqësuesit të lartë të Bosnjës, Christian Schmidt, dhe Dodikut – përplasje që, sipas shumë analistëve, e çuan vendin në prag të krizës më të rëndë politike që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.

Në fillim të këtij viti, Dodiku u dënua dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet për shkak të moszbatimit të vendimeve të Schmidtit.

Pasi fillimisht e shpërfilli vendimin për muaj të tërë, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Kremlinin, e pranoi papritur shkarkimin e tij në tetor.

Gjatë fushatës, Karan është promovuar hapur si vazhdimësi e trashëgimisë së Dodikut.

Kandidati për president ishte i pranishëm në tubimin përmbyllës të së enjtes, ku Dodik, i cili gjatë fushatës e quajti Bosnjën “shtet të pamundur”, premtoi se përpjekja drejt shtetësisë së Republikës Sërpska do të vazhdojë.

“Vizioni ynë është liria, dhe nuk ka liri pa shtet”, u tha Dodik turmave në kryeqendrën administrative të serbëve të Bosnjës, Banjalluka.

Ndërkohë, Blanusa i ka fajësuar politikat e Dodikut për rrezikimin e së ardhmes së entitetit dhe e ka akuzuar atë për korrupsion.

“Ai i ka poshtëruar institucionet e RS-së për interesat dhe pasurinë e tij personale”, tha Blanusa gjatë një aktiviteti elektoral në fillim të kësaj jave. / REL

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

fshatrat malore te librazhdit zbardhen nga debora rruget mbeten te kalueshme 6922d6e53dc2f
Lajmi i mëparshëm

Fshatrat malore të Librazhdit zbardhen nga dëbora, rrugët mbeten të kalueshme

video vullkani kilauea ne hawai riaktivizohet shkencetaret paralajmerojne shperthimin e 37 te brenda pak ditesh 6922d90935445
Lajmi i radhës

Video/ Vullkani Kilauea në Hawai riaktivizohet, shkencëtarët paralajmërojnë shpërthimin e 37-të brenda pak ditësh

Të fundit nga

Pas Trump, Putin do të vizitojë Kinën

Presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë Kinën shumë shpejt dhe përgatitjet për udhëtimin kanë përfunduar tashmë, ka thënë të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping,
ShkoLartë