Sepp Blatter dhe Michel Platini lirohen nga akuzat për korrupsion

min lexim

Sepp Blatter dhe Michel Platini janë liruar nga akuzat për korrupsion nga Gjykata Federale Penale në Bellinzona.

Ish-presidenti i FIFA-s dhe ai i UEFA-s u liruan nga akuzat këtë të premte.

Blatter dhe Platini ishin akuzuar për organizim në mënyrë të paligjshme që FIFA t’i paguante francezit 2 milionë franga zvicerane në vitin 2011. Prokurorët i kishin kërkuar gjykatës të dënonte ata me 20 muaj burg dhe gjithashtu t’i detyronte të paguanin 2.23 milionë franga si gjobë.

Blatteri ka thënë se pagesa prej 2 milionë frangash pasoi si një marrëveshje, kur ai i kërkoi Platinit të ishte këshilltari i tij teknik në vitin 1998.

Platini, punoi si konsulent nga viti 1998 deri më 2002 me një pagë vjetore prej 300 mijë frangash zvicerane, më e larta që FIFA mund të përballonte për shkak të problemeve financiare që kishte organizata në atë kohë, kështu që u ra dakord që pjesa tjetër e pagës prej një milion frangash do t’i jepej në një datë të mëvonshme. Kjo u konfirmua edhe nga Blatter para gjykatës.

Dyshimet linden pas një takimi mes dy të përmendurve në vitin 2010, kur kishin diskutuar për zgjedhjet e ardhshme (të vitit 2011) në FIFA.  Kur Blatter miratoi pagesën, në atë kohë ai ishte duke bërë fushatë për rizgjedhje në postin e të parit në shtëpinë e futbollit botëror. Platini, në atë kohë ishte president i UEFA-s dhe shihej si person me ndikim te anëtarët evropianë.

Sipas “ESPN”, prokurorët thanë se marrëveshja gojore mes Blatterit e Platinis lidhur me 2 milionë frangat nuk ekzistonte dhe e përshkruan atë si një shpikje.

I gjithë hetimi kishte nisur në vitin 2015 nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Në atë kohë, Blatter ishte përjashtuar nga FIFA, kurse Platini nga UEFA..

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Besa dhe Aleanca nuk i shkarkojnë drejtorët e VMRO-së në Tetovë dhe Gostivar

Story i radhës

Aleanca për Shqiptarët ndërpret bashkëpunimin, ja çfarë thonë nga VMRO-DPMNE-ja?!

Të fundit nga