Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe aparatit të frymëmarrjes janë problemet shëndetësore që shkaktuan numrin më të lartë të vdekjeve në vend.
Më shumë se gjysma e humbjeve të jetës ose 52.4%, sipas raportit që Instituti i Statistikave publikoi në fund të vitit të shkuar, kanë ardhur si pasojë e sëmundjeve kronike kardiake, atyre të enëve të trurit dhe ishemitë e zemrës.
Kukësi dhe Dibra janë qarqet me përqindjen më të lartë të vdekshmërisë nga ky grup sëmundjesh. Me përkatësisht me 60,7% dhe 58,8% të humbjeve të jetës shkaktuar nga problemet e sistemit të qarkullimit të gjakut.
Më pak vdekje ose 34.8% u regjistruan në Gjirokastër. Në vend të dytë renditen sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, por me diferencë të larta nga ato të qarkullimit të gjakut. 11.8% e vdekjeve në vend sipas INSTAT ishin pasojë e tyre.
Më shumë humbje jete nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes u regjistruan në Berat dhe Shkodër me 15.5% dhe 13.5% dhe më pak në Dibër me 7.5%.
Hipertensioni dhe diabeti, megjithëse klasifikohen si sëmundje, konsiderohen dhe faktorë rreziku për problemet e qarkullimit të gjakut. INSTAT bazuar në sistemin e recetës elektronike me rimbursim ka përllogaritur se 11.9% e pacientëve kronikë në vend janë trajtuar për diabet dhe 35.5% për hipertension arterial. Numri i të prekurve nga këto sëmundje mund të jetë më i lartë pasi jo të gjithë i drejtohen mjekut të familjes për të përfituar trajtim mjekësor pa pagesë