Deputeti nga radhë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se tensionimet në veri të Mitrovicës, nuk zgjidhen as me Policinë e Kosovës e as me KFOR-in.
Madje, Selmanaj vlerësoi se për të pasur rend dhe ligj, fillimisht duhet të ketë përgatitje politike për situata të tilla si kjo në veri.
“Para se të ketë përpjekje për rend dhe ligj, duhet të ketë një përgatitje politike të situatës, e më pas të zbatohet rendi dhe ligji. Pjesa veriore e Kosovës nuk është problem policor, nuk zgjidhet me polici e nuk zgjidhet as me KFOR-in. Mund të hiqen ato barrikada, por nëse ka një padëgjueshmëri qytetare ndaj shtetit të Kosovës atje, problemet vetëm do thellohen më shumë dhe ne nuk do mund të dalim nga një labirint që Qeveria Kurti e ka futur veten”, deklaroi Selmanaj në emisionin “Infonata” në Tëvë1.Njëherit, Selmanaj konsideroi se për herë të parë, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, po mendojnë se “Serbia është një vend normal, mirëpo shqiptarët e Kosovës nuk po sillen si duhet”, ka thënë Selmanaj.