Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka dhënë sinjalin për mobilizim masiv për marshin që do të mbahet nesër në Prishtinë.
Përmes një thirrjeje publike, Sela u ka bërë apel qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare që t’i bashkohen “Marshit për liri”, i cili zhvillohet më 12 shtator, në Sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 14:00.
Sela e ka cilësuar marshin si një tubim në mbrojtje të luftës çlirimtare, dinjitetit kombëtar dhe figurës së çlirimtarëve.
“Marsh për lirinë e çlirimtarëve, për të mbrojtur pastërtinë e një lufte të drejtë, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare! Të gjithë bashkë”, ka shkruar Sela.
Tubimi pritet të sjellë në Prishtinë qytetarë dhe figura publike nga trevat shqiptare, në një manifestim që synon të përcjellë mesazh të fortë në mbështetje të vlerave të luftës çlirimtare.
Burimi: lajmpress.org


