Policia dhe Prokuroria zhvilluan aksione pas hetimeve disamujore për dyshimet se mallrat po futeshin ilegalisht nga Serbia. Gjatë hetimeve u zbuluan edhe 504 shpezë të gjalla pa dokumentacion shëndetësor, të cilat u asgjësuan me vendim të inspektorit veterinar.
Mallra të dyshuara kontrabandë në vlerë mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete janë sekuestruar gjatë aksioneve të zhvilluara nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në disa lokacione në veri të vendit.
Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil, përfshirë veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat dyshohet se nuk kishte autorizime apo licenca përkatëse.
Njëri nga lokacionet ku u zhvillua aksioni ishte një lokal në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut, ku u konfiskuan disa shishe me raki dhe cigare elektronike.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, aksionet janë rezultat i hetimeve disamujore për dyshimet se mallrat po futeshin ilegalisht nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve malore, duke iu shmangur kontrolleve doganore.
Hetimet kanë nisur në prill të këtij viti, ndërsa nga maji deri në shtator janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanime të komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Gjatë hetimeve, institucionet kanë identifikuar rrugët ilegale të transportit, objektet ku mallrat shkarkoheshin dhe depozitoheshin, si dhe pikat prej nga ato shpërndaheshin më tej në treg.
Sipas autoriteteve, automjetet e përdorura për transportin e mallrave, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara, pasi u ishin hequr ulëset e pasme për të krijuar më shumë hapësirë. Drejtuesit e tyre, kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, dyshohet se i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi.
Gjatë hetimeve është zbuluar edhe një rast me 504 shpezë të gjalla, për të cilat mungonin dokumentet e origjinës dhe certifikatat shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, shpezët janë asgjësuar për shkak të rrezikut të mundshëm për shëndetin e njerëzve.
Prokuroria ka bërë të ditur se qëllimi i hetimeve është parandalimi i shpërndarjes së mallrave që nuk i janë nënshtruar kontrollit doganor dhe procedurave të rregullta të importit.
“Për këto mallra nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit, andaj ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve, ndërsa njëkohësisht dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe bizneset që veprojnë në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Hetimet po zhvillohen nën dyshimin për veprat penale “kontrabandë e mallrave” dhe “tregti e ndaluar”. Sipas Prokurorisë, personat që dyshohet se janë përfshirë në këtë veprimtari janë identifikuar.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se vendimet përkatëse do të merren brenda afateve ligjore, pas vlerësimit të provave të siguruara.
Burimi: botasot.info


