mickoski nga samiti ne mal te zi pres mesazhe te fuqishme per integrimin e ballkanit perendimor ne be 6ad9fc567cd0b

Mickoski nga Samiti në Mal të Zi: Pres mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

October 22, 2026
min lexim

Kryeministri Hristijan Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe diskutime përmbajtjesore e rezultate konkrete nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit në Mal të Zi.

“Sot pres mesazhe shumë të fuqishme lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Natyrisht, këtu përfshij edhe vendin tim. Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse. Prej kohësh e kemi merituar të jemi pjesë e BE-së, por, fatkeqësisht, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje t’i fillojmë negociatat”, deklaroi Mickoski para nisjes së Samitit.

Ai paralajmëroi se në fjalimin e tij do të theksojë përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian, duke nënvizuar se Qeveria do të vazhdojë të veprojë në këtë drejtim edhe në të ardhmen.

“Në fjalimin tim do të paraqes dhe përcjell mesazhin për përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian. Në fakt, kjo ka qenë edhe qasja e deritanishme e Qeverisë sime dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe në të ardhmen”, theksoi Mickoski.

Kryeministri u ndal edhe te sfidat aktuale globale, duke përmendur luftën në Ukrainë, luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare dhe protestat në mbarë Evropën.

“Po jetojmë në kohë shumë sfiduese. Ndoshta jemi dëshmitarë të disa prej periudhave më sfiduese që njerëzimi mund të kujtojë në këtë shekull: luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe luftës me Iranin, krizës në tregjet financiare, protestave në të gjithë Evropën dhe gjithçkaje që lidhet me to. Prandaj, duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë në botë, veçanërisht në Evropë, ndërsa Qeveria ime është e përkushtuar fuqishëm të kontribuojë në këtë drejtim”, tha kryeministri.

Mickoski shprehu shpresën se bisedimet e sotme në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë përmbajtjesore dhe do të sjellin rezultate konkrete e frytdhënëse.

Ai kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Samitin që mbahet në Shën Stefan, në Mal të Zi, ku do të diskutohen ndërlidhja ekonomike e rajonit, siguria dhe përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian.

Samiti shënon përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit. Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, në të merr pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili mbështet përparimin dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Samitin do ta hapin kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelari gjerman Merz. Në kuadër të tij do të mbahet edhe seanca plenare me temën “Rajoni në lëvizje: Ballkani Perëndimor formëson të ardhmen e përbashkët të Evropës”.

Qeveria gjermane njoftoi se temat kryesore do të jenë rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe siguria. Ndërkaq, Mali i Zi, gjatë kryesimit të tij, si prioritet të katërt kyç ka përcaktuar tranzicionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm.

Procesi i Berlinit është një platformë ndërqeveritare e nisur në vitin 2014, me iniciativën e Gjermanisë dhe nën drejtimin e atëhershëm të kancelares Angela Merkel. Qëllimi kryesor i tij është përshpejtimi i integrimit evropian dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Burimi:TV21

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

iva mihajllova do te gjykohet ne mungese nuk eshte e kapshme per organet shteterore 6ad9f587d0383
Lajmi i mëparshëm

Iva Mihajllova do të gjykohet në mungesë, nuk është e kapshme për organet shtetërore

sekuestrohen mallra kontrabande mbi 200 mije euro dhe 22 automjete ne veri te kosoves 6ad9fce701eca
Lajmi i radhës

Sekuestrohen mallra kontrabandë mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete në veri të Kosovës

Të fundit nga

ShkoLartë