Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar ndaj protestave të dhunshme në Tiranë, duke thënë se garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e pronës private dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm kërkojnë angazhim dhe veprime të koordinuara nga institucionet përkatëse.
Në reagim thuhet se situata aktuale duhet parë në kontekstin më të gjerë të sfidave me të cilat përballet mjedisi i biznesit në Shqipëri.
“Të gjithë aktorët kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të mund të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë”.
Sipas raportimeve, Dhoma Amerikane e Tregtisë rikujton se shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse.
“Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës. Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri.”
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri u bën thirrje Qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës aktuale.
“Veprimet e menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme janë thelbësore për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe të pronës publike e private, si dhe ruajtjen e vijimësisë së aktivitetit të bizneseve.
Të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë duhet të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët përmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit efektiv, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë”.
Burimi: botasot.info


