Autoritetet meksikane kanë sekuestruar rreth 3 ton kokainë dhe kanë arrestuar katër persona gjatë një operacioni të zhvilluar në Oqeanin Paqësor, pranë shtetit Oaxaca.
Droga ishte e ndarë në 86 pako dhe u gjet në dy anije që u ndaluan nga marina meksikane.
Operacioni u krye pas patrullimeve detare dhe ajrore në zonën detare të jugut të Meksikës. Forcat detare ndërhynë duke ndaluar dy mjetet lundruese, ndërsa gjatë kontrollit u gjet edhe rreth 1 mijë litra karburant në 20 bidona.
Sipas autoriteteve, operacioni vjen në një kohë kur Meksika ka shtuar aksionet kundër trafikut të drogës, pas presionit të rritur nga Shtetet e Bashkuara për goditjen e karteleve të narkotikëve dhe rrugëve të kontrabandës.
Marina meksikane vlerëson se me këtë sekuestrim është parandaluar shpërndarja e drogës me një vlerë prej rreth 37 milionë dollarësh në tregun ilegal. Autoritetet thonë se ky operacion ka goditur ndjeshëm strukturat financiare dhe logjistike të krimit të organizuar.
Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të kohëve të fundit ndaj trafikut të kokainës në rajon.
Burimi: botasot.info


