“Ne duhet ta ndalim (presidentin rus, Vladimir) Putinin, sepse ai nuk do të ndalet në Ukrainë”, tha të dielën Liz Truss, sekretarja e Jashtme britanike, në një intervistë në Daily Mail, duke folur lidhur me pushtimin mundshëm të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Putini i ka thënë të gjitha këto publikisht, se ai dëshiron të krijojë Rusinë e Madhe, se ai dëshiron të kthehet në situatën siç ishte më parë, ku Rusia ushtronte kontroll mbi zona të mëdha të Evropës Lindore”, tha ajo.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, tha se “të menduarit e rrezikshëm të Kremlinit, që vjen drejtpërdrejt nga një e kaluar e errët, mund t’i kushtojë të ardhmes së begatë të Rusisë”.
Ajo tha se nëse Rusia pushton Ukrainën, do të kishte qasje të kufizuar në tregjet financiare dhe mallrat teknologjike, sipas një pakete sanksionesh që po bëhet gati.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha të shtunën se dëshiron të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për të negociuar një zgjidhje për krizën, ndërsa mijëra trupa ushtarake ruse janë grumbulluar përgjatë kufijve të Ukrainës.
“Unë nuk e di se çfarë dëshiron presidenti i Federatës Ruse, kështu që unë po propozoj një takim”, tha presidenti Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Ndërkohë Gjermania dhe Austria u thanë qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina. Agjencia ajrore gjermane Lufthansa anuloi fluturimet për në kryeqytetin Kiev dhe në Odessa, një port i Detit të Zi që mund të jetë një objektiv kyç në rast sulmi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të dielën, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të shtunën teksa ripohoi se “Rusia mund të nisë një sulm kundër Ukrainës në çdo kohë”.
Presidenti Putin kryesoi stërvitjet ushtarake të shtunën ndërsa bombardimet u përshkallëzuan në Ukrainën lindore.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitjet e së shtunës, për të cilat Kremlini thotë se ishin planifikuar më herët për të parë shkallën e gatishmërisë, përfshinin lëshimin raketave balistike ndërkontinentale. Ato u ndoqën nga presidenti rus dhe ai i Bjellorusisë.
‘Gati për të sulmuar’
Të shtunën, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se më shumë se 150,000 trupa ruse që janë grumbulluar në kufirin e Ukrainës “tani janë gati për të sulmuar”. Ai foli me gazetarët në Lituani, ku presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, bëri thirrje për një prani të shtuar të trupave amerikane.
Në Konferencën e Sigurisë së Munihut, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, paralajmëroi se plani i Rusisë tashmë është duke u shpalosur. Ajo tërhoqi vërejtjen se Rusia do të mund të krijojë pretekst të rremë për pushtim, ndërsa paralajëroi sanksione te ashpra nëse Rusia pushton Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, duke bërë thirrje për një takim të Këshillit NATO-Rusi, për të shmangur një konflikt në Ukrainë. Sekretari Stoltenberg tha në Konferencën e Sigurisë në Munih, se nuk ka prova se Rusia ka tërhequr ndonjë nga trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës dhe se ekziston një rrezik real i konfliktit.
Por, presidenti ukrainas, Zelenskyy, iu kundërvu parashikimeve për një pushtim të afërt rus, duke deklaruar se “Ne nuk mendojmë se duhet të jemi në panik”, raportoi agjencia e lajmeve, France-Presse.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, megjithatë, i tha BBC-së se provat tregojnë se Rusia planifikon “luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945”.
Sulme të reja në Ukrainën lindore
Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, raportuan më shumë se 1,500 shkelje të armëpushimit në Ukrainën lindore të shtunën, numri më i lartë i shkeljeve në një ditë gjatë këtij viti.
Ushtria e Ukrainës akuzoi separatistët në dy territoret e shkëputura në Ukrainën lindore, republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, për një valë të re sulmesh të shtunën.
Separatistët, të cilët akuzuan gjithashtu ushtrinë e Ukrainës për kryerjen e sulmeve të reja të shtunën, nënshkruan dekrete për mobilizimin masiv ushtarak. Kreu i njërit prej territoreve u bëri thirrje të gjithë njerëzve të aftë për të mbajtur armët, të mobilizohen kundër atij që ai pretendoi se është agresion i Kievit. Rajonet kanë filluar gjithashtu evakuimin e disa civilëve nga zonat kufitare.
Presidenti Biden tha se masa ishte rezultat i dezinformatave ruse, duke thënë se “është kundër çdo logjike” që njerëzit në Ukrainë “do të zgjidhnin këtë moment” për t’u përfshirë në luftime, me më shumë se 150,000 trupa ruse në kufijtë e Ukrainës.
Nëse Moska pushton Ukrainën, do të jetë thelbësore për Shtetet e Bashkuara që ta bindin botën se Rusia është agresori dhe se e bëri këtë pa u provokuar, i tha Zërit të Amerikës Max Bergmann, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Progresin Amerikan.
Ai tha se administrata e presidentit Biden e ka lexuar planin e Kremlinit dhe po shpërfaqë dezinformatat ruse.
Megjithatë, presidenti Biden ende po i ofron Putinit një mundësi për ulje tensionesh, duke thënë se diplomacia është “gjithmonë një mundësi”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, planifikon të takohet me ministrin rus Lavrov më 24 shkurt.
Zyrtarët rusë kanë mohuar se po planifikojnë të pushtojnë Ukrainën, por bisedimet diplomatike me zyrtarët perëndimorë janë bllokuar. Rusia ka kërkuar që SHBA-ja dhe aleatët e saj, të mos hakun dyert për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Perëndimi e ka kundërshtuar një kërkesë të tillë, por ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Moskën lidhur me vendosjen e raketave dhe stërvitjet e trupave në vendet e Evropës Lindore që janë afër Rusisë./VOA