Sekretari i Shtetit Blinken në Australi për bisedime me partnerët e Azi-Paqësorit

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Australi të mërkurën për bisedime që synojnë thellimin e angazhimit të administratës së presidentit Biden në rajonet e Azi-Paqësorit dhe Indo-Paqësorit, si edhe për diskutime të përqendruara tek kriza mbi Ukrainën.

Zoti Blinken do të takohet me udhëheqësit e Australisë, Japonisë dhe Indisë.

Ministrja e Jashtme australiane Marise Payne, e cila organizon takimin, tha të mërkurën se bisedimet i dërgojnë një mesazh Kinës se siguria në rajon mbetet një përparësi për Shtetet e Bashkuara.

Zonja Payne tha se ministrat e katërshes do të bisedojnë gjithashtu edhe për shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në rajon, sigurinë kibernetike, si edhe çështje si disinformimi, kundërterrorizmi dhe ndryshimet klimatike.

Gjatë udhëtimit për në Australi të mërkurën, zoti Blinken u tha gazetarëve se ai dhe ministrat e tjerë do të diskutonin për çështje me rëndësi për “popujt e gjithë rajonit dhe mbarë botën.”

“Katërshja po bëhet një mekanizëm i fuqishëm për shpërndarjen e vaksinave në një pjesë të madhe të botës, forcimin e sigurisë detare për t’i bërë ballë agresionit në rajonin e Indo-Paqësorit, zhvillimin e teknologjive dhe për t’u siguruar që ato të përdoren për qëllime pozitive, jo negative, si edhe një axhendë gjithnjë e më të zgjeruar”, tha zoti Blinken.

Sekretari i Shtetit tha se partneritete të tilla u japin mundësi vendeve të përdorin avantazhet e secilit për të trajtuar çështje të rëndësishme si ndryshimet e klimës, COVID-19 dhe teknologjitë në zhvillim./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shenjat e horoskopit që pritet ta kalojnë në mënyrë perfekte Shën Valentinin

Story i radhës

Hamiti godet kryeministrin Kurti për ngritjen e çmimit të rrymës

Të fundit nga