Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin tha se vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Bagdadit për t’i dhënë fund organizatës terroriste DEASH në Irak, transmeton Anadolu.
Në konferencën për media në Bagdad ku Austin zhvilloi vizitë të papritur tha se forcat e koalicionit të formuar kundër DEASH-it janë të vendosura për t’i dhënë fund organizatës terroriste duke punuar me qeverinë irakiane.
“Ne jemi të fokusuar në përfundimin e DEASH-it. Vetëm përpjekjet ushtarake nuk mund të garantojnë fundin e DEASH-it. Çdo sulm ndaj pranisë së SHBA-së në Irak mund të prishë luftën kundër DEASH-it”, theksoi Austin.
Ai potencoi partneritetin strategjik në postimin që bëri në Twitter për vizitën e tij në Bagdad.
“Unë jam këtu për të ritheksuar bashkëpunimin strategjik SHBA-Irak. Drejt një Iraku më të sigurt, të qëndrueshëm dhe sovran”, tha Austin.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes u takua me kryeministrin irakian Mohammed Shia al-Sudani në Bagdad. Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe luftën e forcave irakiane kundër DEASH-it.
Kryeministri irakian tha se i kushtojnë rëndësi forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në në të gjitha fushat. Ai tha se Iraku është në favor të vendosjes së marrëdhënieve të balancuara me vendet e rajonit dhe botës.
Duke thënë se mbështesin sigurinë dhe stabilitetin e Irakut, Austin tha se dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Irakun në fusha të ndryshme.