Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti të dielën në Afrikën e Jugut, çka shënoi fazën e parë të turneut të tij në tre vende afrikane.
Krahas Afrikës së Jugut, zoti Blinken do të vizitojë gjithashtu edhe Republikën Demokratike të Kongos si dhe Ruandën.
Zoti Blinken pritet të mbajë një fjalim në Afrikën e Jugut të hënën lidhur me strategjinë e SHBA-ve ndaj Afrikës nën-Sahariane. Ndryshimet klimatike, tregtia, shëndeti dhe pasiguria ushqimore do të jenë tema të diskutimit.
Në Republikën Demokratike të Kongos, zyrtarët e Departamentit të Shtetit thonë se zoti Blinken do të punojë për të ulur tensionet mes Kongos dhe Ruandës. Kongo ka akuzuar fqinjin e saj për mbështetje të grupit të armatosur M23, një akuzë që Kigali e ka hedhur poshtë.
Sipas Departamentit të Shtetit gjatë vizitës në Ruandë, zoti Blinken do të ngrejë çështjen e “ndalimit të padrejtë” të banorit të përhershëm të SHBA-ve, Paul Rusesabagina. Veprimet e zotit Rusesabagina ndihmuan në shpëtimin e qindra jetëve gjatë gjenocidit të vitit 1994 dhe frymëzuan filmin Hotel Ruanda.
Vizita e zotit Blinken vjen vetëm disa ditë pasi diplomati i lartë rus, Sergey Lavrov, përfundoi turneun e tij në kontinent, ku i doli në mbrotje sulmit rus në Ukrainë dhe fajësoi sanksionet perëndimore për rritjen e kostos së karburantit dhe çmimit të produkteve ushqimore në Afrikë. Por Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar sulmin rus për rritjen e çmimeve.
Analistët politikë thonë se Afrika është kthyer sërish në një fushë beteje për ndikim dhe ideologji ndërsa kanë kaluar dekada nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Ky është udhëtimi i dytë i zotit Blinken në Afrikë në cilësinë e sekretarit të Shteti. Ai vizitoi në nëntor të vitit të shkoi Nigerinë, Senegalin dhe Kenian./VOA