Tensionet dhe përplasjet brenda BDI-së po bëhen gjithnjë e më të dukshme në opinion, shkruan “plusinfor” duke u bazuar ne statuset e facebokut te analisteve. Këtë herë, debati është zhvendosur në rrjetet sociale, ku analisti Sefer Selimi ka kritikuar ashpër ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke nxitur reagimin e Artin Spahiut, bashkëpunëtor i afërt i tij.
Selimi, i njohur për qëndrimet e tij në mbështetje të politikave të BDI-së dhe afërsinë me nënkryetarin e partisë, Bujar Osmani, ka deklaruar se problemet e Grubit me organet e drejtësisë janë çështje personale dhe nuk duhet të paraqiten si probleme të shqiptarëve.
Sipas tij, Grubi nuk mund të vazhdojë ta diktojë politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut përmes përçarjeve brenda BDI-së. Ai e kritikoi gjithashtu për periudhën kur partia ishte në pushtet, duke vlerësuar se Grubi ishte marrë me çështje të tjera në vend të problemeve të shqiptarëve.
Ndaj këtyre qëndrimeve reagoi Artin Spahiu, i cili e akuzoi Selimin se ka rënë pre e shpifjeve dhe konstruksioneve politike kundër Grubit.
Spahiu pretendon se individë të caktuar brenda BDI-së, në bashkëpunim me VLEN-in, po përpiqen ta paraqesin Grubin si përgjegjës për përçarjet e mundshme në parti.
Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se Grubi, edhe nga pozita e tij aktuale, punon për BDI-në më shumë se një pjesë e konsiderueshme e udhëheqjes së sotme partiake.
Sipas Spahiut, disa drejtues të partisë nuk shqetësohen për unitetin e BDI-së, por për ruajtjen e pozitave dhe ndikimit të tyre, ndërsa Grubi po përdoret si “kokë turku” për të mbuluar përgjegjësitë e të tjerëve.
Përplasja publike ka nxitur spekulime për një rivalitet të mundshëm mes Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, dy figurave me ndikim në BDI.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto polemika përfaqësojnë qëndrime individuale apo sinjalizojnë ndarje më të thella brenda partisë. / Plusinfo
Burimi: lajmpress.org



