2
Shkup, 28 mars – “Burimet e kufizuara financiare, mungesa e mbështetjes politike dhe pengesat administrative po ngadalësojnë zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.”. Ky është vlerësimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili u theksua në seancën e 16 publike. Kryetarja, Tatjana Dimitrovska, tha se nga 154 aktivitete të planifikuara për vitin 2024, vetëm 18% janë realizuar, 32% janë në proces, ndërsa 50% mbeten të parealizuara.
“Një nga aspektet pozitive në zbatimin e strategjisë është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e llogaridhënies institucionale dhe roli aktiv i KShPK-së në parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Megjithatë, mungesa e financave, mbështetjes politike dhe pengesat administrative vazhdojnë të ngadalësojnë zbatimin e saj.”, – theksoi kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska.
Dimitrovska bëri të ditur se Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka iniciuar ndryshime në ligj për të forcuar mekanizmat antikorrupsion, për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike dhe për të zgjeruar kompetencat e saj.
“Në bashkëpunim me OSBE-në, Komisioni vlerësoi rreziqet në sistemin gjyqësor, identifikoi dobësi dhe propozoi masa për përmirësim. Raporti përfshin rekomandime për shpërndarjen e drejtë të lëndëve, mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëve dhe parandalimin e ndikimeve në vendimet gjyqësore. KShPK-ja mbetet e përkushtuar për një sektor publik efikas, transparent dhe të përgjegjshëm.”, – deklaroi kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska.
Anëtarët e KShPK-së kërkuan forcimin e koordinimit institucional, sigurimin e burimeve, rritjen e transparencës dhe përfshirjen aktive të qytetarëve. Ata do të marrin pjesë edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare 2026-2030. Në seancën e sotme, KShPK-ja miratoi raportin vjetor për vitin 2024, ku thuhet se janë marrë 742 vendime, janë trajtuar 451 raste të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, nga të cilat 27 janë dërguar për veprime të mëtejshme në organet kompetente.
BURIMI: zhurnal.mk