Scholz: Me Francën po shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes

November 3, 2022
min lexim

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar se kanë njohuri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet ta marrin seriozisht propozimin e Parisit dhe Berlinit, të cilin e vlerësoi si “një mundësi tejet të mirë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin dhe botën” .

Vuçiq, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Kancelari gjerman, në fjalimin e tij hapës në këtë samit, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane”, tha Scholz, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

Ekzistimin e propozimit franko-gjerman në tetor e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se e përkrah atë.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, tha Escobar.

Faktori ndërkombëtar po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë bisedimet nën ndërmjetësimin e BE-së, që kanë për synim normalizimin e plotë të raporteve.

Përderisa Kosova synon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një “zgjidhje kompromisi”, pa saktësuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./Rel

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

EmRata sqaron se është beqare: I vetmi mashkull në jetën time është djali im

Story i radhës

Pse ju ndodh ta harroni një fjalë që e keni në majë të gjuhës

Të fundit nga

ShkoLartë