Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.
Begaj vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.
Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, Presidenti Begaj vlerësoi ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksoi se si President i Republikës do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo të kemi thjesht zgjedhje më të mira se paraardhëset, por ato të përmbushin standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon.
Në këtë linjë, Kreu i Shtetit përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që misioni i OSBE-së në Ukrainë po luan në këto momente agresioni të pashembullt, të pajustifikuar e të paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen.
“Çdo krim i kryer në Ukrainë, ndaj popullsisë civile, ndaj fëmijëve dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk duhet të mbesë pa ndëshkuar”, nënvizoi Presidenti Begaj.
Ndërsa në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Schmid vlerësoi veçanërisht rolin e Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së.
Schmid tha se i ka bërë shumë përshtypje roli i Shqipërisë dhe arritjet në fushën e politikës së jashtme edhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Shumë kolegë në OSBE ruajnë ende konsiderata të larta për kryesimin e sukseshëm të OSBE-së nga Shqipëria. E vlerësoj shumë edhe axhendën tuaj për gratë në KS të OKB-së. Në OSBE ne vlerësojmë se është jetësore që të sjellim së bashku gratë dhe të rinjtë si aktorë të së ardhmes në arenën e sigurisë”, tha ajo.
Schmid theksoi se, “ne jetojmë në kohë shumë të vështira për shkak të agresionit në Ukrainë, i cili ka pasur impakt edhe përtej Ukrainës. OSBE është një shtyllë kryesore për arkitekturën e sigurisë në Europë”.
Ajo vlerësoi po ashtu progresin që është bërë me Reformën në Drejtësi.
“Kam qenë në Shqipëri në qershor 2016, para miratimit të Reformës në Drejtësi. Që atëherë ju keni bërë progres të jashtëzakonshëm për sa i përket reformave gjyqësore dhe jam e lumtur që e keni bërë këtë me mbështetjen e misionit tonë. Ne kemi punuar në shumë fusha të ndryshme, kemi kontribuar për projekte të ndryshme dhe kemi menduar të adresojmë zbatimin e impaktit të ndryshimeve klimatike”, shtoi ajo.
Po ashtu, Schmid përgëzoi Shqipërinë që është përzgjedhur si vendi ku do të mbahet kampusi i tretë i Kolegjit Europian, që është institucioni më i rëndësishëm pasuniversitar në BE.
“Është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe rajonin dhe të rinjtë do të kenë përfitime duke mësuar për vlerat europiane”, tha ajo.