Në një ambient të veçantë, nuk duket nëse është faltore tipike, por në një hapësirë të brendshme të gjerë, dhe me pak shenja festive, për nusen dhe dhëndrin, u bë ceremonia martesore e dy të dashuruarve ukrainas.
Për një çast, u harrua lufta, oshëtima e armëve, shkatërrimet, flakët, gjëma e dhimbjeve, vdekjet dhe varret. Këtë e bën çifti i ri martesor, Andri dhe Irina.
Një buqetë lule për çiftin, që e mbanin dy ushtarë të tjerë, ndërsa ia bekonte dashurinë komandanti. Që të dy ushtarë ukrainas, vetëm zonja është nderuar, të ishte me veshje civile, ndërsa burri gjithnjë në uniformë dhe i gatshëm për ballafaqim me të papriturën.
Nuk munguan as unazat, shkëmbimi i tyre, buzëqeshjet e ndrojtura, dhe nënshkrimet e kurorëzimit, pa pasur një tavolinë, por një foltore. Ndërsa, në prapavijë lart në mur, dallohet mbishkrimi, “Ukraina e lirë”!
Shkëmbimi unazave, dhëndri ia vendos unazën nuses
Më shumë se sa imazh për dashurinë dhe jetën, fotot po bëhen ikonike për botën, duke përcjellë dashurinë e fuqishme për atdheun, të pa cenueshme nga forcat pushtuese ruse, si armata që ende llogaritet e dyta në botë, kualifikim që pas kësaj lufte mund të ndryshojë shumë.
Radha nuses për t’ia vendosur dhëndrit unazën në gisht!
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, nuk e lë t’i rrëshqasë nga dora një moment i tillë, për ta ngritur moralin dhe për të motivuar për luftë dhe jetë ukrainasit!
Në njoftimin e saj Ministria e Mbrojtjes thotë se ndërsa lufta me okupatorin po vazhdon, një ushtar dhe një ish-sipërmarrëse private, kanë zgjedhur të martohen në luftë, dhe që të dy të luftojnë kundër pushtimit rus.
“Lufta me okupatorin rus po vazhdon në Ukrainë. Andriy – një ushtar, Irina – në të kaluarën sipërmarrëse private, vullnetare, tani po mbron Kievin në një nga njësitë e ushtrisë”.
Dëshmitar i kurorëzimit të martesës u bë gjenerali Valery Zaluzhny, ndërsa e uroi çiftin e ri.
“Në një kohë kaq të vështirë për shtetin, këta dy njerëz, ushtarët tanë, kanë marrë një vendim të rëndë. Guximtar për ta, për gjithë shtetin. Dashuria fiton,” – vuri në dukje, duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve, shefi i Forcave të Armatosura. Ai i uroi çiftit të ri shumë vite të lumtura të jetës bashkëshortore dhe fitore Ukrainës. Pas martesës, nuset vazhdojnë ta mbrojnë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila për shkaqe sigurie nuk jep detaje se ku është mbajtur ceremonia e martesës.
Deri më tani sipas njoftimeve zyrtare ukrainase, që nga fillimi i luftës janë bërë rreth 11 mijë martesa, dhe po aq lindje të reja.
Momenti i nënshkrimit të kurorës me bekimin e komandantit ushtarak