Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Samitin e Kryebashkiakëve Europian në Strasburg, ku u takua me anëtarë të Parlamentit Europian, duke marrë miratimin e tyre për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
“Është kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim, Dario Nardella, me të cilin si kryetar i Bashkisë së Firences kemi bërë projekte të pafundme, por sot kemi vërtet një avokat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Fakti që kemi hapur negociatat, hapëm Kolegjin e Evropës në Tiranë, shumë prej kapitujve kanë marrë rrugën e mbarë të zbatimit, dhe fakti që qeveria Rama po insiston që të hyjmë sa më shpejt në BE me shokë si Dario, të cilët kanë qenë fillimisht kryetarë bashkie të qyteteve të rëndësishme, por tani janë avokatët tanë në gjithë vendimmarrjet e BE, është një lajm i mirë për Shqipërinë.”
Veliaj tha se Pavarësisht pakicës që proteston, Shqipëria ka shumë miq ndërkombëtarë, që duan të avancojë në BE.
“Në këtë takim të Eurocities më vjen mirë që takoj kaq shumë miq të Shqipërisë, edhe kur disa shqiptarë, një pakicë shumë e vogël, protestojnë kundër Shqipërisë që të avancojë në BE. Fat i madh është që Shqipëria është e rrethuar me shumë miq ndërkombëtarë, që duan që Shqipëria të shkojë përpara dhe duan që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane”.
Nga ana e tij, deputeti Dario Nardella tha se një nga objektivat e tij si anëtar i Parlamentit Europian, do të jetë të ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.
Burimi: botasot.info