Shkup, 6 dhjetor – Gjashtë dhjetori do të mbahet gjatë kohë në mend, datë historike kur të gjithë liderët e familjes më të madhe evropiane zbarkojnë në Tiranë, kjo mbase edhe e çuditshme por shumë shpresëdhënëse. Rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të konstatohet se është rajoni i vetëm që gjitha shtetet përbërëse i bashkon Bashkimi Evropian. Mbase, probleme të shumta e çështje të pambyllura por kur përmendet BE të gjithë shtetet rreshtohen pa dallim dhe pa menduar dy herë. Kjo për të vetmen arsye që shpresa për një jetë më të mirë, për zhvillim të gjithanshëm, dhe për t’i bërë të përshtatshme vendet për të jetuar të rinjtë. Pra. është ringjallje që është e nevojshme pas kësaj “letargjie” në të cilën kanë rënë këto shtete, që asesi nuk po munden të gjejnë një gjuhë të përbashkët fqinjësie e funksionimi normal pa pengesa. Në samit do të flitet për integrim të përshpejtuar si dhe për hipokrizinë e Serbisë që sa më parë të sanksionojë Rusinë, shkruan Zhurnal.
Sigurisht se ngjarja e sotshme, Samiti BE-së në Tiranë, është ngjarje e veçantë për nga mysafirët pjesëmarrës si dhe vendi ku po zhvillohet. Por, që temë e nxehtë do të jetë prezenca e dy shteteve fqinje që janë në mesin e tensioneve të ngritura, Kosova dhe Serbia. Presidenti serb, Alekasander Vuçiq, refuzoi të merrte pjesë por pastaj më vonë ndërroi mendje dhe pranoi që të jetë prezent në Tiranë te miku i tij Edi Rama.
Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë tema kryesore që përshkruajnë të ardhmen e BE-së, për nga aspekti i politikave të tyre të zgjerimit, si dhe të ardhmen e këtij rajoni të lërë në harresë. Ndryshe, së fundmi u bë i zëshëm ky rajon me idenë e Vuçiqit dhe me “megafonin” Rama që kinse Ballkani Perëndimor paska kapacitete të mjaftueshme për të bashkëpunuar veçmas dhe për të bërë distancim nga BE-ja. Gabim trashanik dhe i pafalshëm, i kundërshtuar nga Kosova, sepse kishim të bëjmë me një ide që kryekëput është në favor të Serbisë. Ide e dëmshme dhe që dëmton edhe Procesin e Berlinit dhe gjithçka tjetër, çorienton një rajon të tërë. Por, për fat të mirë nuk doli ashtu si ishte e planifikuar nga Vuçiqi me krerët fetar atje, kjo ide pati jehonë shumë por që tani është zbehur.
Samiti i BE-së do të mbahet në Tiranë në zemër të rajonit-
Përmes një reagimi në Twitter, Michel shkruan se ky Samit është shumë simbolik e do të do të zhvillohet në zemër të Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar kështu kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
“Samiti i nesërm, BE-Ballkani Perëndimor është shumë simbolik pasi do të mbahet në Tiranë, në zemër të rajonit”, ka shkruar Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Fakti që për herë të parë samiti me Ballkanin Perëndimor po zhvillohet në Tiranë, thuhet në deklaratën e zbardhur nga Klan News, kjo deklaratë do të miratohet nesër në Tiranë, që ky Samit konsiderohet një simbol i “partneritetit të forcuar të BE-së dhe rajonit në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës”. Deklarata e përbashkët e përfshin integrimin e rajonit me tregun e përbashkët të BE-së.
Në deklaratën e samitit thuhet se liderët e BE-së shpallin ndihmë financiare në vlerë prej 1 miliard euro grante dhe 2.5 miliardë investime potenciale për sektorin energjetik të rajonit. 500 milionë Euro do të shkojnë drejtpërsëdrejti si ndihmë emergjente për familjet dhe bizneset e vogla, ndërsa pjesa tjetër, 500 milionë Euro do të jenë mbështetje e pakthyeshme për pavarësinë energjetike, tranzicionin në përmirësimin e infrastrukturës së gazit dhe energjisë elektrike.
Cilat janë pritshmëritë nga ky Samit, dhe pse po mbahet tani dhe në Tiranë?
Janë përgjigjur burime zyrtare të Bashkimit Evropian duke u ndalur mbi boshtet kryesore në të cilat do të mbështet Samiti dhe pritshmëritë nga Samiti. Së pari, në aspektin simbolik, për Bashkimin Evropian ishte momenti i duhur për mbajtjen për herë të parë të një samiti BE-Ballkan Perëndimor në rajonin e Ballkanit. Kjo erdhi në vijim të frymës pozitive që krijoi mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare BE- Shqipëri dhe BE-Maqedoni e Veriut në 19 korrik 2022. “Kjo është arsyeja pse ne po mbajmë për herë të parë një event të tillë në rajon. Kishte një propozim nga kryeministri Rama që ky samit të mbahej në Tiranë dhe kjo u prit shumë mirë nga Bashkimi Evropian” janë shprehur burimet zyrtare të BE-së. Sipas tyre, kjo duhet parë edhe në frymën në të cilën po vijohet me konceptin e Komunitetit Politik Evropian. “Ne po shohim gjithashtu mundësinë e përfshirjes së vendeve të rajonit në takimin e dytë të Komunitetit Politik Evropian. Dhe ndoshta ky takim i dytë do të mbahet në Moldavi” kanë përfunduar burimet zyrtare të BE-së.
Konteksti i ri gjeopolitik i imponuar nga agresioni rus në Ukrainë e ka bërë Bashkimin Evropian më të vetëdijshëm se kurrë, se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një prioritet. Kjo është dhe arsyeja pse në deklaratën finale të Samitit që po zhvillohet sot në Tiranë, në aspektin politik pritet të bëhet thirrje për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit me vendet e rajonit, në aspektin e sigurisë do bëhet thirrje Serbisë t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe në aspektin ekonomik, do të forcohet tregu i brendshëm rajonal në disa dimensione.
Serbia edhe merr pjesë në Samitin e BE-së në Tiranë edhe nuk sanksionon Rusinë-
Në kontekstin gjeopolitik të agresionit të Rusisë në Ukrainë, mesazhi kryesor i Bashkimit Evropian ka të bëjë me aspektin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian është i mobilizuar për të mos lejuar asnjë përshkallëzim apo tension në rajon si rrjedhim i agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Burimet zyrtare të BE-së, shprehen se do të ishte mirë që Serbia të përfaqësohej me nivelin më të lartë në këtë samit dhe të rreshtohet pa humbur kohë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. “Kur shihni deklaratën që është aprovuar, do shihni gjuhën lidhur me rëndësinë e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e rreshtimit me sanksionet e Bashkimit Evropian. E rëndësishme është që të theksohet, se një numër i madh i partnerëve të Ballkanit Perëndimor janë duke treguar në bazë të përditshme rreshtimin e tyre për këtë. Mendojmë, se teksti do të bëjë thirrje për këtë dhe të inkurarojë ata që nuk po e bëjnë këtë gjë për t’ju bashkuar kësaj shpejt” janë shprehur burimet zyrtare të BE-së.
Këtu përfundon edhe hipokrizia e Serbisë që në të njëjtën kohë negocion me BE-në pa çka se vepron kokë në vete dhe nuk i bashkangjitet sanksioneve të BE-së, kundër agresionit rus në Ukrainë. Pra, miq me Rusinë e të afërt me Perëndimin kjo është e pamundur, por që Serbia me diplomacinë e saj të vjetër me mjeshtri po e luan këtë lojë me qasje të dyfishtë dhe hipokrizi. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk