Një vrasje në Shkodër, një plagosje në Peshkopi dhe një atentat ndaj dy policëve në Vlorë. Është ku bilanci i situatës në vend gjatë pasdites së sotme.
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale duke theksuar se krimi ka kapur policinë përmes drejtuesve të lidhur me politikën.
Ai shton se qytetarët janë të tmerruar nga mungesa e sigurisë, zbrazja e karikatorëve edhe ndaj punonjësve të policisë.
Statusi i plotë i Ervin Salianjit
U bë kohë që policia nuk kap kriminelët por krimi ka kapur policinë nëpërmjet drejtuesve tê lidhur me politikën! Kjo është arsyeja se pse ngjarjet e rënda kriminale ndjekin njëra tjetrën dhe policia është e pafuqishme, vetëm kronikane e ngjarjeve të kobshme! Shqipêria është e tronditur nga ngjarjet kriminale në Tiranë, Shkodër, Dibër, Vlorë!
Qytetarët janë të tmerruar nga mungesa e sigurisë, zbrazja e karikatorëve dhe ndaj punonjësve të policisë duhet zbardhur në mënyrë të menjëhershme, çdo goditje ndaj autoritetit të shtetit duhet ndëshkuar ashpër, ne mbështesim çdo punonjës të ndershëm të policisë që paguhet pak dhe është nën darën e krimit dhe të drejtuesve politikë të lidhur me ta,policia duhet të luftojë krimin jo të përdoret për të luftuar politikisht kundërshtarët e regjimit!