Përmes projekti HOUP janë siguruar dy automjete të pajisura plotësisht, me të cilat mundësohet transporti me kohë dhe adekuat i të porsalindurve të parakohshëm dhe të sëmurë në repartin e kujdesit intensiv neonatal të Klinikës së fëmijëve.
Në ngjarjen përfundimtare të projektit HOUP, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se kjo është një risi domethënëse e Klinikës për sëmundjet e fëmijëve me qëllim për të ofruar sa më shpejt trajtimin e nevojshëm për ata fëmijë.
“Qëllimi ynë është që me aplikimin e procedurave standarde operative dhe me edukimin profesional të personelit të kontribuojmë në uljen e shkallës së vdekshmërisë foshnjore, veçanërisht duke pasur parasysh se për herë të parë në rajonin më të gjerë ofrohet një shërbim i këtillë shëndetësor për pacientët më të rinj”, tha Sali.
Vlera e këtij investimi është rreth 700 mijë dollarë, ndërsa në kuadër të gjithë projektit “PeriMak” deri më tani janë siguruar mbi 4 milionë dollarë.
“Në fazën e parë të zbatimit, projekti do t’i mbulojë Klinikën universitare për sëmundjet e fëmijëve – Reparti i kujdesit intensiv, si dhe Spitali special për gjinekologji dhe obstetrikë “Nëna Tereza” në Çair, me qëllim të përmirësimit të kushteve, ambienteve dhe ekspertizës në këto institucione”, tha Sali.
Ai shtoi se në bashkëpunim me “HOUP” në periudhën e kaluar janë siguruar pako standarde të pajisjeve për nevojat gjinekologjike dhe pediatrike të Spitalit klinik në Tetovë dhe atij të përgjithshëm në Kumanovë dhe janë organizuar disa trajnime për personelin mjekësor nga i gjithë vendi.