Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me Siegfried Leffler, drejtor i GIZ International Services, ku është diskutuar thellimi i bashkëpunimit në mbështetje të reformave dhe procesit të integrimit evropian të vendit.
Përmes një njoftimi, Sali ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen gjermane në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të platformës digjitale për monitorimin e progresit, si dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen gjermane në zbatimin e Agjendës së Reformave, përfshirë zhvillimin e platformës digjitale për monitorimin e progresit dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale”, ka deklaruar Sali.
Gjatë takimit, sipas njoftimit të tij, është diskutuar edhe nisma për përshpejtimin e integrimit evropian, forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe mundësitë për krijimin e një qendre burimore për Bashkimin Evropian.
Sali ka theksuar se synimi është që reformat të prodhojnë rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
“Prioriteti ynë është që reformat të sjellin rezultate të prekshme: institucione më efikase, shërbime më të mira dhe më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset”, ka theksuar zëvendëskryeministri i parë.
GIZ International Services është pjesë e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila mbështet projekte dhe iniciativa në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Burimi: alfax.mk


