Shtatë triumfe në Kupën e Kombeve të Afrikës nuk zhbëhen, por ka zhgënjim të madh në Egjipt, pas humbjes në finale ndaj Senegalit. Ky i fundit fitoi trofeun e parë historik. Ndër më të zhgënjyerit është Mohamed Salah, i cili shpërtheu në lot në fushë.
Në dhomën e zhveshjes, kapiteni i “faraonëve” mbajti një fjalim pasionant përpara bashkëlojtarëve të tij në kombëtare. Egjipti humbi me penallti, pasi as koha shtesë nuk kishte arritur të shpallte fituesin e finales. 120 minuta lojë u mbyllën 0-0.
Salah duhej të ekzekutonte penalltinë e pestë, por nuk e pati shansin për t’u shfaqur vendimtar te pika e bardhë, pasi shoku i tij i skuadrës së Liverpool, Sadio Mane, vendosi finalen duke shënuar penalltinë e pestë të Senegalit.
Pasi shfryu zemërimin e tij në fushë, Salah mbajti një fjalim pasionante dhe prekëse në dhomën e zhveshjes. “Kemi luajtur katër ndeshje 120-minutëshe në rreth 12 ditë, – filloi ai, siç dëgjohet në një video që qarkullon në rrjetet sociale. – Tani duhet të ecim përpara, do të luajmë kundër tyre muajin tjetër dhe do të hakmerremi”.
Egjipti do të takohet me Senegalin në “play-off”-in afrikan për Kupën e Botës së këtij viti. Një sfidë e dyfishtë, me ndeshjen e parë në Kajro, më 24 mars, dhe kthimi më 29 mars në Dakar.