Komuna e Prishtinës për herë të parë ka transkriptuar me inteligjencë artificiale seancën për buxhet në vetëm 12 minuta.
Kështu ka bërë të ditur nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Sahatçiu tha se ky është shembulli i parë konkret se si mund të përdoret fuqia e veglave me bazë inteligjencën artificiale në punën e institucionit publik.
“Me as më pak e as më shumë se me një vegël të krijuar në Prishtinë, produkt 100% shqip! Me super veglën Shqip.ai, për vetëm 12 minuta, u transkriptuan 150 minuta fjalime nga seanca e diskutimit dhe miratimit të buxhetit 2024 në Kuvendin Komunal në Kryeqyteti Prishtina, me saktësi mbi 94%. E jashtëzakonshme”, shkroi ajo.
Teksa ka lavdëruar punën e Shqip.ai, Sahatçiu ka ftuar të gjithë zyrtarët publik që të lexojnë dhe kuptojnë vlerën e këtyre veglave në rritjen e produktivitetit në komunë.
“E kisha të domosdoshme që përveç se të flas për inteligjencën artificiale, të provoj diçka që të mund të tregojmë me shembull se çka saktësisht na hyn në punë përdorimi dhe aplikimi i teknologjive. Derisa pres shumë shpejtë që të na mundësohet qasja e lirë në veglën Shqip.ai, ChatGPT dhe të tjera brenda rrjetit qeveritar në zyret tona, i ftoj të gjithë zyrtarët publik që të lexojnë dhe kuptojnë vlerën e këtyre veglave në rritjen e produktivitetit tonë”, tha më tej.
Po ashtu ka falëndëruar ekipin e Shqip.ai për këtë bashkëpunim provë.
“Të shkojmë një hap tutje dhe të nxjerrim të dhëna të hapura me partneret në Open Data Kosovo”.
“E vërteta është se e tashmja është digjitale. T’a shfrytëzojmë potencialin e tregut lokal e të zhvillohemi bashkë me më shumë vepra e më pak fjalë”.
“Çka u tha sot prej përfaqësueseve që i keni votu për dokumentin më të rëndësishëm të Kryeqytetit në 2024? Lexojeni vetë, të gjeneruar tërësisht me vegël”, shkroi Sahatçiu.