Duke folur për La Gazzetta dello Sport, Arrigo Sacchi, ish-trajner historik, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me Botërorin e ardhshëm të Katarit, që tashmë është shumë afër.
Në mënyrë të veçantë bien në sy fjalët e thëna për Argjentinën dhe Belgjikën, dy nga kombëtaret që priten me më shumë kërshëri në Kupën e Botës.
“Një rrezik grumbullimi i Lukaku-t për Belgjikën? Besoj se po. Nuk luan prej shumë kohësh, ka një fizik të fuqishëm, i duhet kohë për t’u kthyer në formë. Dhe do të shohim nëse De Ketelaere do të bëjë diçka më shumë në krahasim me atë që është parë në këtë fazë të parë të Serie A.
“Belgjika praktikon një futboll kolektiv, ka një kampion si De Bruyne: nuk do të befasohesha nëse do të kishte një rrugë më të gjatë se kombëtare të tjera më të rëndësishme”, ka thënë Sacchi për Djajtë e Kuq.
Duke kaluar tek Argjentina e Botërori i Lionel Messi-t: “Për të është mundësia e fundit: ose tani, ose kurrë. Argjentina është një skuadër shumë e mirë, duhet të shohim se çfarë do të bëjë. Mund të bëjë gjithçka, por edhe asgjë.
“Është shumë italiane, në kuptimin se shumë lojtarë vijnë nga Serie A. Nga kush pres më shumë? Le të themi se një sulm i formuar nga Di Maria, Messi dhe Lautaro nuk është keq. Gjithmonë nëse të gjithë do të jenë në formë”.