Shkup, 2 dhjetor – As sot nuk u realizuan paralajmërimet për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Nga vëzhgimet e ekipit tonë nuk vërejtëm korrigjim të çmimeve, as të bukës, qumështit, vajit e as të miellit. Pyetëm kryeministrin Dimitar Kovaçevski se ku e blenë bukën më lirë ai personalisht, që të gjejnë edhe qytetarët më lirë sepse shikuam në gjitha dyqanet dhe askund nuk është ulur çmimi i bukës? Ai tha se ka dy pika ku blenë rregullisht bukë, që sipas tij janë korrigjuar çmimet që nga 1 dhjetori.
“Çmimi i bukës të disa prodhuesve tani më është ulur në 32 denarë, por një pjesë e prodhuesve nuk i kanë ulur çmimet. Sepse akoma i nënshkruajnë marrëveshjet për ulje të çmimit të energjisë elektrike. Mendoj se edhe disa kompani të fundit që përdorin energji të rinovueshme dhe tepricën e shesin në tregun e lirë dje gjetën zgjidhje në mbledhjen e përbashkët me EMV-në dhe EVN-në, MEMO, Komisionin Rregullator të Energjetikës se edhe ata do të kyçen”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski tha se me resorin e ekonomisë po bëjnë çmos që pas kufizimit të çmimit të energjisë elektrike për 350euro/mwh për prodhuesit vendor, për çmimet e produkteve bazë të zbatohet ulje për së paku 10% ulje. Por, kjo mbetet në suaza vullnetare sipas marrëveshjes me Odat Ekonomike, kërkesë e të cilëve ishte kjo. Edhe përskaj paralajmërimeve të Qeverisë për ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, qytetarët ballafaqohen me të njëjtat shifra të kuponit fiskal, sikurse në muajin e kaluar.
“Nuk ka asnjë ulje të çmimeve, nuk vërejta askund. Ishim edhe në market edhe në treg, çmimet janë njësoj sikur më herët…Shumë vështirë, me këtë që po na thonë, vështirë se do të kemi ulje të çmimeve”.
“Njësoj është, sikurse e mora dje njësoj edhe sot. Dëgjuam në televizion se do të ketë ulje të çmimeve por akoma nuk ka”.
“Unë ja me pension, nuk kam tani para që të marr bukë…Me pensionin tim i ushqej të gjithë, dy vajza, tre nipa, renë dhe të gjithë me pensionin tim… Tani bukë duhet të shkoj të marr, nuk kam të holla”.
Ndërkaq, nga 1 Dhjetori deri më 30 prill të vitit të ardhshëm, mbi 200 kompani do të përdorin energjinë elektrike të subvencionuar me çmim prej 80 euro për megavat orë. Kërkesa kryesore e Qeverisë ishte që këto kompani të ulin çmimin e produkteve të tyre për të paktën 10 për qind. Megjithatë, kjo përqindje nuk është as afër arritjes tani për tani, kështu që shumica e ushqimeve shitet me të njëjtin çmim të lartë. /Alsat.mk
Burimi: zhurnal.mk