Zëvendëskryeministri për Qeverisje të mirë, nga radhët e koalicionit VLEN, Arben Fetai, pajtohet me propozimin e kryeministrit Mickoski që Ligjit për përfaqësim të barabartë, që ende është duke u përpiluar, të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias. Fetai shprehet se kjo praktikë është e mirë.
Kjo është praktika dhe duke marrë parasysh çështjet që preken në këtë projekt-ligj, praktikë e mirë, praktikë ndërkombëtare është që të merret një opinion nga Komisioni i Venecias,u shpreh Arben Fetai, zv/km për Qeverisje të mirë.
I pyetur nëse nuk do të përbëjë problem që Ligji që parashihet të zëvendësojë Balancuesin mund të miratohet edhe pas 1 viti, Fetai tha se ky ligj është vonuar 22 vjet, pasi sipas tij, është dashur të sillet kur është miratuar amendamenti 6 i Kushtetutës.
Unë nuk jam idhatar, veçanërisht si zëvendëskryeministër përgjegjës për qeverisje të mirë, i zgjidhjeve të ngutura që imponohen nga lart. Kemi kritika të vazhdueshme edhe nga partnerët ndërkombëtarë sa u përket ligjeve që sillen me procedurë të shkurtuar, abuzimin e flamurit europian, e kështu me radhë, i dini rekomandimet e KE-së , andaj për hir të transparencës dhe përfshirjes së të gjithëve është mirë që të ketë proces që udhëhiqet nga Parlamenti, shtoi Fetai.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se zgjidhja e re ligjore patjetër duhet të jetë kushtetuese dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Prandaj, ndoshta është më mirë që para se të sillet në Kuvend, të dërgohet për mendim, që edhe ata të japin mendim, të mos vijmë në situatë të tillë siç jemi tani, që ne të bëhemi ekspertë të së drejtës kushtetuese, që nuk jemi, dhe të themi se si duhet… Ndoshta pasi të kristalizohet dhe katalizatohet zgjidhja, që do të jetë si propozim, ta dërgojmë për mendim në Komisionin e Venecias, të thonë ata nëse është mirë apo jo, sepse atëherë do të kemi edhe një mekanizëm plus në atë katalizim që do të jetë në anën tonë, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Dje Ministri Taravari tha se shpreson që javën që po vjen të nisë debati për Ligjin për përfaqësim të barabartë, që do ta zëvendësojë Balancuesin. Zyrtarë të VLEN-it disa herë deri më tani kanë pohuar se e kanë gati tekstin. Se sa kohë do të duhet të vihet deri te miratimi final, mbetet të shihet, sepse dërgimi në Komisionin e Venecias nënkupton disa muaj pritje deri sa të vijë mendimi prej atje.
Burimi: tv21