Rutte: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën siç do dëshironim

min lexim

Autoritetet ndërkombëtare por edhe ato të NATO-s gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka ngritur shqetësime për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Operacionet e NATO-s në Kosovë, ishin temë diskutimi edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

Angazhimi i NATO-s për siguri në Kosovë nuk ndryshon. Këtë e theksoi edhe Rutte, i cili tha se anëtarët e NATO-s do të vazhdojnë të punojnë për sigurinë në rajon. “Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha sekretari Rutte.

Rutte: Jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor

Siguria është njëra anë, kurse ecja përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve është ana tjetër. Këtu ka vite që ngecja e situatës rrit tensionet. Rutte shprehet i vetëdijshëm për këtë. “Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim”, vazhdoi Rutte.

Aleanca Veriatlantike aktualisht ka në Kosovë mbi 4 mijë e 400 trupa të cilat kujdesen për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.

Rohde: Palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën

Mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi e vuri në pah në Prishtinë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, pas një tryeze diskutimi lidhur me Procesin e Berlinit që zhvilloi punimet gjatë javës.

“Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse, për momentin nuk ka shumë progres në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara”, tha Rohde, duke shprehur bindjen se strukturat e reja evropiane do të kërkojnë më shumë progres në dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam i sigurt se emisari Lajçak dhe ekipi i ri në Komisionin Evropian duan progres dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Të dyja vendet dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm në BE”, tha ambasadori Jörn Rohde.

Takim i ri në Bruksel në nivel kryenegociatorësh

Javën e ardhshme më 24 tetor është konfirmuar se në Bruksel do të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve, ndonëse, akoma nuk është e qartë nëse do të ketë një takim trepalësh, pas dështimit të herës së fundit për një të tillë.

Autoritetet ndërkombëtare muajt e fundit kanë adresuar kritika të ashpra ndaj Kosovës për ato që ata i kanë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Kosova tashmë ka mbyllur komunat paralele serbe në Kosovë dhe zyrat e Postës së Serbisë, veprime këto që u kritikuan nga autoritetet ndërkombëtare./DW

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

“TaorminaNews24”: Italianët zgjedhin Shqipërinë në vend të “Bel Paese”-s

Story i radhës

Drejtori i Arsimit në Klinë: Kemi vonesa me subvencionimin e prindërve për blerjen e librave

Të fundit nga