Ejup Rustemi nga Bashkimi Demokratik për Integrim tha se janë të kënaqur që po vazhdojnë punimet për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d që siç tha, pavarësisht se ky projekt po realizohet nga një qeveri pa legjitimitet.
Rustemi tutje tha se, ata të cilët e kundërshtonin projektin e Korridorit 8, sot e quajnë projekt historik.
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh kënaqësinë që Korridorit 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik. Kjo vetëm sa konfirmon vizionin tonë të qëndrueshëm dhe politikat tona afatgjata për përparimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore. Nuk mund të mos vëmë në dukje se ata që deri dje e kundërshtonin ashpër këtë projekt dhe kërcënonin me anulimin e tij, sot e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 përfaqëson për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe për përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën. Politikat e BDI-së kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve, dhe rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë. Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses”, tha Rrustemi.
Burimi: TV21