Teksa Ukraina po vazhdon të çlirojë vendbanime, në pjesën veriore të vendit, që ishin të pushtuara nga trupat ruse, Moska raportohet se ka zëvendësuar një tjetër komandant të forcave të saj të armatosura.
Kreu i rajonit të Dagestanit në Kaukazin Verior, Sergei Melikov, shkroi në Telegram më 7 tetor se gjenerallejtënant Rustam Muradov është emëruar komandant i Qarkut Lindor të Ushtrisë.
Ky qark ka selinë në Lindjen e Largët të Rusisë, por shumica e personelit aktualisht po marrin pjesë në pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.
Muradov, i cili është në mesin e zyrtarëve rusë që janë subjekt i sanksioneve perëndimore, ka udhëhequr trupat në rajonet lindore ukrainase të Luhanskut dhe Donjeckut, pjesë të të cilave kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që prej vitit 2014. Ai po ashtu ka qenë komandant i paqeruajtësve rusë në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut në Azerbajxhan.
Agjencia e lajmeve RBK, duke cituar burime të afërta me ushtrinë ruse, raportoi më 7 tetor se Muradov ka zëvendësuar gjeneralkolonelin, Aleksandr Chaiko. Por, kjo agjenci nuk dha detaje të tjera.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar për këto raportime.
Më 3 tetor, RBK ka raportuar se komandanti i Qarkut Perëndimor të Ushtrisë, gjeneralkolonel Aleksandr Zhuravlyov ishte zëvendësuar pas humbjeve dramatike ruse në verilindje të Ukrainës në muajin shtator, dhe rimarrjes së qytetit strategjik të Limanit në rajonin e Donjeckut nga forcat e Kievit.
Në shtator, gjenerali Dmitry Bulgakov, që ishte zëvendësministër i Mbrojtjes, përgjegjës për logjistikë, u zëvendësua nga gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev. Ky i fundit akuzohet nga Bashkimi Evropian për orkestrimin e rrethimit të qytetit-port të Mariupolit.
Në gusht, mediat shtetërore ruse thanë se komandanti i flotës në Detin e Zi ishte përjashtuar nga puna, pasi Ukraina kreu disa sulme të suksesshme, duke fundosur madje edhe luftanijen ruse, Moskva./REL
Burimi: GAZETA.MK